Si në asnjë klub tjetër, te Kreuzlingeni zviceran ishin të grumbulluar pesë hendbollistë të rëndësishëm të Kosovës dhe tri hendbolliste të rëndësishme të përfaqësueses së Kosovës. Kreuzlingeni në edicionin 2024/2025 ishte njëri prej dy klubeve të vetme që kishte ekipin e djemve dhe të vajzave në Superligën e Zvicrës.
Por në edicionin e ardhshëm nuk do të jetë në elitë me asnjërin ekip. Kreuzlingeni ka hequr dorë vullnetarisht nga Superliga.
Kjo mund të ketë ndikim edhe në përfaqësuesen e Kosovës. Kapiteni Valon Dedaj, lojtari kryesor i mbrojtjes, Bujar Ramosaj, portieri i parë, Haris Berisha, aloja e parë e djathtë, Drilon Tahirukaj dhe beku i parë i majtë, Drenit Tahirukaj, ishin së bashku te Kreuzlingeni. Dhe loja e Kosovës jo pak është bazuar në lojën e këtij ekipi zviceran.
“Kolonia shqiptare” në Kreuzlingen tashmë është shpërndarë. Dedaj e Drilon Tahirukaj kanë kaluar në skuadra të tjera. Pritet të largohen edhe Berisha e Drenit Tahirukaj, ndërsa i vetmi që pritet të mbetet është Ramosaj.
Pjesë e Kreuzlingenit ishin edhe tri hendbolliste të rëndësishme të Kosovës, Albina Rugova, Fitore Aliu dhe Dafina Mustafa. Asnjëra nuk pritet të qëndrojë. Edhe ekipi i hendbollisteve luajti në fazën e dytë të garës në pjesën e kampionatit ku luftohet për titull. Por nuk është më në elitën zvicerane.
Kreuzlingeni kishte firmosur me gjashtë lojtarë për edicionin e ardhshëm garues. Ka hequr dorë prej transferimeve dhe ata lojtarë kanë kaluar në klube të tjera. Ekipi i meshkujve të këtij klubi do të luajë në nivelin e tretë në edicionin e ardhshëm.
Gazeta e madhe zvicerane, Blick, shkroi për këtë. Sipas kësaj gazete, kjo që ndodhi duket e pazakontë, por është vetëm kapitulli i tretë i riorientimit të klubit.
Që në janar u bë e ditur se klubi do të largohej nga Superliga e hendbollisteve. Në prill u vendos që të hiqej dorë edhe nga Superliga e hendbollistëve.
Presidenti i klubit, Patrick Muller, ka thënë se largimi vullnetar është bërë për shkak të situatës financiare. Sipas tij, në klub kanë vlerësuar se nuk kanë mjaftueshëm fonde për të formuar ekip të denjë për ligën elitare. Gjetja e sponsorëve të rinj u bë sfidë.
“Vlerësuam se nuk mund t’ia dalim në planin afatgjatë dhe vendosëm për një hap prapa”, ka thënë Muller për “Blick”.
Palestra ku i luan ndeshjet skuadra ishte po ashtu çështje. Ajo nuk i plotëson kriteret e Superligës për edicionin e ardhshëm. Prej edicionit tjetër kërkohet palestër me tribuna në të dy anët për shkak të transmetimit televiziv. Dhe po ashtu që të ketë kapacitet prej 1500 ulëseve. Salla e një shkolle ku luante Kreuzlingeni nuk i plotëson këto kushte.
Klubi tani do të bazohet në lojtarë të vet, kryesisht të rinj. Ekipi i parë, aq sa ka mbetur prej tij, është bashkuar me ekipin e dytë dhe do të garojë në kategorinë e tretë.
Kjo ka ndikim edhe në përfaqësuesen e Kosovës. Tre prej lojtarëve të rëndësishëm kanë kaluar në ligë më të ulët. Kjo ka rrezik të ndodhë edhe me të tjerë lojtarë të Kosovës që ishin te Kreuzlingeni. Dhe ndikimi i tyre në përfaqësuese rrjedhimisht nuk do të jetë ai që ishte.