Menjëherë pasi doli nga pishina dhe për herë të parë përballë gazetarëve të shumtë, notarja 12-vjeçare kineze, Yu Zidi ishte plot buzëqeshje. Asaj i parashikohet karrierë e gjatë dhe e suksesshme, kështu që “përballjet” me gazetë do t’i ketë të shpeshta.
Buzëqeshja e kinezes u bë edhe më e theksuar kur u kuptua se u kualifikua në disiplinën 200 metra në stil të përzier.
“A jam kualifikuar?”, pyeti ajo gazetarët. “Jam e lumtur dhe do të mundohem të bëj më të mirën në të ardhmen. Shpresoj se do të shpërthej në këtë garë dhe do të dëshmoj se çka jam në gjendje të bëj”.
12-vjeçarja kishte kohën e shtatë më të shpejtë në gjysmëfinalen e së dielës.
“Është më mirë se që kam pritur”, ka thënë kinezja e re për përvojën e parë në Kampionatin Botëror të sporteve të ujit që po mbahet në Singapor.
E dyta më e reja që u kualifikua në 200 metra në stil të përzier ishte japonezja Mio Narita, rreth gjashtë vjet më e madhe se Yu.
Tashmë pritjet janë shumë të mëdha nga fenomeni kinez, falë rezultateve të saj në garat e fundit.
Në gjysmëfinale ajo kishte kohë prej 2:10.22 minuta. Është koha më e shpejtë ndonjëherë nga një 12-vjeçare.
Në 200 metra delfin ajo ka kohë që do t’ia siguronte vendin e katërt në Lojërat Olimpike të vitit të kaluar.
Yu Zidi, e cila në moshën gjashtëvjeçar u njoftua me notin në një park argëtimi nga babai i saj, do të garojë në tri gara të ndryshme në Kampionatin Botëror në Singapor. Ajo do të garojë në 200 metra stil të përzier, 200 metra delfin dhe 400 metra stil të përzier.
“Patjetër që do të ketë presion, por unë do të bëj më të mirën”, ka thënë ajo.
E pyetur se si ndihej pas garave të para, asaj kualifikuese dhe gjysmëfinales, Yu u përgjigj thjeshtë: “Shumë e lodhur”.
Më herët të dielën ekipi australian i notit e nisi Botërorin me medalje të artë në stafetën 4x100 metra stil të lirë për meshkuj dhe femra.
Ekipi i meshkujve i përbërë nga Flyn Southam, Kai Taylor, Maximiallian Giuliani dhe Kyle Chambers vendosi rekord në Kampionatin Botëror. Italia zuri vendin e dytë, ndërsa SHBA-ja të tretin.