Real Madridi e ka kompletuar transferimin e mesfushorit të Monacos, Aurelien Tchouameni.
Lajmi është konfirmuar nga vetë sajti zyrtar i klubit spanjoll.
Tchouameni tash e një kohë të gjatë është kërkuar nga disa skuadra të mëdha evropiane, përfshirë edhe klubin francez, Paris Saint-Germainin, si dhe atë të Premier Leagues, Liverpoolin. Megjithatë, mesfushori francez ka vendosur për gjigantin e La Ligas, fituesin e Ligës së Kampionëve dhe La Ligës spanjolle.
Transferimi i Tchouamenit u ka kushtuar madrilenëve 100 milionë euro. Do të përfitojë rreth 150 mijë funte në javë, ka shkruar “goal.com” të shtunën.
“Real Madridi dhe Monaco janë pajtuar për transferimin e Aurelien Tchouameni, i cili do të jetë pjesë e klubit për gjashtë vjetët e ardhshme. Të martën, më 14 qershor, në Real Madrid City, do të bëhet prezantimi i Aurelien Tchouamenit si lojtar i ri i Real Madridit, pasi të përfundojnë testet mjekësore. Ai do të paraqitet më pas para mediave”, thuhet në komunikatën e Real Madridit.