Rrjedha e dy ndeshjeve vendimtare të xhiros së fundit të Superligës së Kosovës në futboll megjithatë nuk do të kalojë pa u hetuar. Kjo është konfirmuar të hënën edhe nga zëvendësministrja për Kulturë, Rini dhe Sport, Daulina Osmani. Ajo ka shkruar se ndeshjet Prishtina – Trepça ’89 dhe Ferizaj – Dukagjini janë proceduar për hetime në prokuroritë përkatëse nga Këshilli për Parandalimin e Dhunës në Sport.
Të dielen u zhvillua xhiroja e fundit e Superligës së Kosovës në futboll. Dhe në Mitrovicë e Ferizaj ndeshjet kishin rrjedhë jo normale. Madje skena nga këto ndeshje u vlerësuan të turpshme. Lojtarët më shumë kanë qëndruar shtrirë se sa duke luajtur. Është përcjellë rezultati në ndeshjen tjetër dhe janë dhënë nëntë e 17 minuta vazhdime. Në fund portieri i Dukagjinit, Altik Muhaxhiri aktroi shumë keq duke shmangur topin, në mënyrë që Ferizaj ta shënoi golin që i duhej për fitore dhe për të mbetur në vendin e tetë. Ferizaj do të luaj në plejaut, ndërsa Trepça ’89 bie nga Superliga. Të dy skuadrat fituan me rezultatin 2:1.
“Nuk mund t’i mbyllim sytë para dyshimeve, por as edhe të jemi pre e spekulimeve,. Andaj, kërkojmë nga autoritetet dhe personat përgjegjës të organeve të rendit që të procedojnë tutje me shumë kujdes dhe me kohë”, ka shkruar zv.ministrja Osmani.
Sipas saj, është e dhimbshme kur imazhi i sportit në Kosovë njolloset me shenja që shkaktojnë dëme të thella dhe vështirë të riparueshme.
“Sporti është i sportistëve dhe atyre që punojnë për rezultate. Kalkulimet dhe llogaritë e përfitimeve mbi djersën dhe mundin e tyre, nuk duhet të kenë vend në sportin vendor në asnjë formë dhe asnjë moment”, ka shkruar tutje Daulina Osmani.
Reagimet ishin të shumta të dielen lidhur me rrjedhën e dy ndeshjeve të vetme të vlefshme në xhiron e fundit të Superligës. Por nuk ka pasur reagim nga FFK-ja, që është përgjegjëse për rrjedhën e garave të futbollit dhe integritetin e tyre.
-
Arbitrat dhe drejtuesit e Ferizajt dhe Dukagjinit do të intervistohen nga hetuesia
-
Regjistrohen ndeshjet me rezultatet e arritura në fushë, përfshirë dy ndeshjet e dyshuara për kurdisje
-
FFK-ja me reagim të zbehtë për ndeshjet shumë të dyshimta
-
FFK-ja me reagim të zbehtë për ndeshjet shumë të dyshimta
-
Këshilli konfirmon hetimet për ndeshjet e dyshimta