Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Këshilli konfirmon hetimet për ndeshjet e dyshimta

Këshilli Kombëtar për Parandalimin dhe Sanksionimim e Dhunës dhe Dukurive Negative në Ngjarjet Sportive ka konfirmuar se ndeshjet Ferizaj – Dukagjini dhe Trepça ’89 – Prishtina po hetohen pas dyshimeve për kurdisje.

Rrjedha e ndeshjeve ishte jonormale, ndërsa rezultatet ishin ato që priteshin. Sidomos goli i pranuar nga Dukagjini në minutën e 105-të ka bërë bujë të jashtëzakonshme.

Portieri Altik Muhaxhiri bënë lëvizje qesharake për të mos u goditur nga topi. “Këshilli për Sport me vëmendje të shtuar e ka përcjellë zhvillimin e ndeshjeve të xhiros së fundit të Kampionatit të Kosovës në Futboll, duke përfshirë edhe reagimet e shumta të opinionit sportiv në relacion me dyshimet për kurdisjen eventuale të rezultatit të dy ndeshjeve të Superligës së futbollit”, thuhet në një njoftim të Këshillit për Sport.

Këtë organ e drejton Besim Kelmendi që po ashtu është ushtrues detyre i kryeprokurorit të shtetit.

“Këshilli për Sport e njofton opinionin publik se çështjet në fjalë i ka trajtuar me urgjencë, dhe dyshimet për kurdisje të rezultatit në dy ndeshjet e sipërshënuara të futbollit janë adresuar menjëherë tek prokuroritë kompetente për verifikimet dhe hetimet e nevojshme”, thuhet tutje në njoftim. Këshilli zakonisht inicon hetime, por dukuritë që godasin rëndë sportin kosovar kanë kaluar pa u dënuar deri më tani. Pas bujës disa ditore, interesimi për parregullsitë bie dhe hetimet nuk përfundojnë me ndonjë masë.