Sulmit të skuadrës së Zuerichut në edicionin e ardhshëm pritet t’i prijë një futbollist me prejardhje nga Kosova. Sulmuesi Labinot Bajrami po vlerësohet si një nga talentet më të mëdha të klubit zviceran. 18-vjeçari edicionin e ardhshëm do të promovohet në ekipin e parë të Zuerichut dhe po pritet të shkëlqejë në Superligën e Zvicrës. Bajrami këtë edicion po luan me ekipin U21 të Zuerichut dhe po vlerësohet prej sulmuesve më të rrezikshëm në Promotion League. Në tetë ndeshje të luajtura deri më tani, Bajrami ka shënuar shtatë gola dhe tashmë ka tërhequr vëmendjen e trajnerit të ekipit të parë të Zuerichut, Bo Henriksen.
“Blick” shkruan të enjten se Henriksen po e monitoron nga afër zhvillimin e shpejtë të Bajramit, të cilin thuhet se po e përcjell në çdo ndeshje me ekipin U21. Në fakt, Bajrami po vlerësohet ndër gjashtë lojtarët më të mirë të rinj të Promotion League, të cilëve po u parashikohet e ardhme e ndritur në elitën e futbollit zviceran, duke filluar që nga edicioni 2024/25. Sulmuesi Bajrami muajin e shkuar është ftuar te Përfaqësuesja U19 e Zvicrës dhe në dy ndeshje të luajtura ka shënuar një gol. Ai gjithashtu ka qenë edhe pjesë e gjeneratave U18 e U17 të Zvicrës. Për ekipin U17, Bajrami ka shënuar 6 gola në 12 ndeshje, ndërsa me U18 kishte 8 paraqitje dhe dy gola të realizuar.
Një tjetër shpresë e madhe për të ardhmen është Labinot Bajrami, në fund të fundit, sulmuesi mund ta quajë veten si lojtar të rëndësishëm të ekipit U19 të Zvicrës. Talenti i Zuerichut ka shënuar tashmë shtatë gola nga tetë ndeshje të Ligës së Promovimit këtë sezon, që është sigurisht një shifër e fortë. Në fund të fundit, Bajrami tashmë ka një vlerë tregu prej 125 mijë eurosh, dhe tashmë po vlerësohet lart për potencialin e tij të madh”, ka shkruar “Blick”. “Nëse 18-vjeçari nuk lëndohet dhe vazhdon me formën e mirë të treguar deri më tani, ndoshta është vetëm çështje kohe para se të ftohet dhe të debutojë me ekipin e parë të Zuerichut. Trajneri i Zuerichut, Bo Henriksen, tashmë po e ndjek me vëmendje zhvillimin e Bajramit”.
E veçanta e Bajramit është se sulmuesi është i gjatë 1.87 centimetra dhe ka nuhatje për golin duke u treguar tejet i rrezikshëm për portën kundërshtare. Ai ka lindur në Winterthur, ku edhe i ka nisur hapat e parë në futboll, përpara se t’i bashkohet Zuerichut. Në verën e vitit 2019, Bajrami u largua nga ekipi U16 të Winterthurit për t’iu bashkuar gjeneratës së njëjtë të Grasshopperit. Pas dy vjetësh me U16 të Grasshopperit, Bajrami iu bashkua të rinjve të Zuerichut në fillim të vitit 2021. Pas vetëm gjashtë muajve tek U16 të Zuerichut, ai u promovua në ekipin U18. Te kjo gjeneratë, Bajrami e kaloi një vit, para se në verën e vitit të shkuar të bashkohet me ekipin U21 të Zuerichut. Edicionin e shkuar, Bajrami shënoi 10 gola në 29 ndeshje të luajtura në Promotion League.