Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Ziyech kthehet te Maroku për ndeshjet para Botërorit

Sulmuesi i krahut, Hakim Ziyech, është rikthyer te Përfaqësuesja e Marokut pasi është ftuar të hënën për ndeshjet përgatitore përpara Kampionatit Botëror “Katari 2022”. Me ftesën e pranuar për të qenë pjesë e ekipit, Ziyech kthehet te Maroku pas një viti pasi u përjashtua nga ish-përzgjedhësi Vahid Halilhoxhiq.

Në fakt, ishte përplasja me Ziyechun që detyroi Federatën e Futbollit të Marokut ta shkarkojë Halilhoxhiqin nga posti i selektorit edhe pse arriti ta kualifikonte ekipin në Botëror. Halilhoxhiq e la jashtë Ziyechun vitin e shkuar duke insistuar se lojtari i Chelseat kishte refuzuar të luante në një ndeshje miqësore.

Përzgjedhësi i ri, Walid Regragui e ka përfshirë Ziyechun në listën prej 31 lojtarëve për ndeshjet miqësore kundër Kilit dhe Paraguait që do të zhvillohen në Spanjë më 23 dhe 27 shtator. Maroku bën pjesë në grupin e Botërorit, i cili përbëhet edhe nga Kroacia, Belgjika e Kanadaja.

Artikuj të ngjashëm