Mesfushori Piotr Zielinski ka hedhur poshtë spekulimet që e lidhin me një largim të mundshëm të tij nga skuadra e Napolit, ka raportuar “Calciomercato” të hënën.
Në fakt polaku ka insistuar se nuk e ka ndërmend të largohet nga Napoli, pavarësisht ofertave të shumta, pasi është i vendosur të jetë pjesë e ekipit edhe për sezonin e ri.
“Nuk e di se prej nga vijnë këto spekulime, por unë kam kontratë me Napolin, të cilën do ta respektoj. Kurrë nuk kam thënë se dua të largohem, pasi jam i lumtur te Napoli dhe do të jem pjesë e këtij ekipi”, tha Zielinski.
28-vjeçari në sezonin e fundit ishte ndër lojtarët më të dalluar te Napoli, me tetë gola e pesë asistime në të gjitha garat.
Ai ka kontratë me Napolin deri në vitin 2024, me opsionin e vazhdimit edhe për një vit tjetër.