Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Zhou firmos me Alfa Romeon, bëhet piloti i parë kinez në F1

Zhou Guanyu do të bëhet piloti i parë i Formula 1 nga Kina pasi firmosi kontratë me skuderinë Alfa Romeo të martën. Zhou largohet nga Formula 2, ku është i dyti në renditje, dhe do të jetë partner me finlandezin Valtteri Bottas që në fund të këtij sezoni do të largohet nga Mercedesi për t’iu bashkuar Alfa Romeos. Të gjitha, 20 vendet e pilotëve për sezonin 2022 në F1, tani janë plotësuar. Zhou ka qenë më parë një pilot testues për skuderinë e Alfa Romeos dhe ka vozitur për ta në një seancë stërvitore për Çmimin e Madh të Austrisë në muajin korrik.

“Të jesh piloti i parë kinez në F1 është një përparim për historinë kineze të motorsportit. E di që shumë shpresa do të mbështeten tek unë dhe, si gjithmonë, do ta marr këtë si motivim për t'u bërë më i mirë dhe për të arritur më shumë në karrierë”, tha Zhou.

Zhou zëvendëson Antonio Giovinazzin, i cili humbet vendin e tij në F1 pas tre vjetësh si pilot me kohë të plotë për Alfa Romeon. Italiani këtë vit ka marrë vetëm një pikë. Ardhja e Zhous vjen në kohën ndërsa F1 përpiqet të nxisë rritjen e saj në Kinë, vend që ka pasur një çmim të madh që nga viti 2004, por nuk ishte në gjendje ta mbante në vitin e shkuar dhe këtë vit për shkak të pandemisë së koronavirusit. Zhou do të duhet të presë një kohë të gjatë për të bërë debutimin e tij në shtëpi për shkak se as në vitin e ardhshëm nuk do të mbahet asnjë garë e F1 në Kinë. Ai do të rikthehet vetëm në vitin 2022, pasi Formula 1 këtë muaj e zgjati kontratën për të mbajtur garat në shtegun e Shanghait deri në vitin 2025.

“Lajmi që Zhou Guanyu do të jetë në F1 sezonin e ardhshëm është fantastik për sportin dhe miliona tifozë të pasionuar kinezë që tani kanë një hero në shtëpi për të brohoritur gjatë gjithë vitit”, tha kreu i Formula 1, Stefano Domenicali. “Piramida në F2 po punon dhe po promovon talentin në nivelin më të lartë të motorsportit. Zhou është një talent i jashtëzakonshëm, i cili do të jetë një shtesë fantastike në rrjetin e mahnitshëm që kemi, dhe ai do të argëtojë dhe mbajë të emocionuar të gjithë fansat tanë kinezë në vitin”.

Para Zhous, i vetmi pilot kinez që mori pjesë në një fundjavë të garës F1 ishte Ma Qinghua, i cili ishte një pilot testues për skuderitë HRT dhe Caterham në vitin 2012 dhe 2013.