Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Qyteti ukrainas “në zonën e vdekjes” shijon një çast paqeje

Kherson

Foto: New York Times

Një marrëveshje e rrallë lokale për paqe, e shpallur nga zonja e parë, Melania Trump, i ofroi një pushim të shkurtër qytetit të Khersonit, ku dronët dhe artileria ruse kanë terrorizuar prej kohësh civilët.

Në tetë muajt që kur ka lindur këtë vit në qytetin e Khersonit, në vijën e frontit në Ukrainë, Davyd nuk ka qenë kurrë më larg se pesë minuta nga shtëpia e tij. Prindërit e kanë mbajtur brenda për shkak të sulmeve të pandërprera me bomba rrëshqitëse, raketa dhe dronë rusë.

Davyd e pa për herë të parë një botë më të madhe dhe më të sigurt të mërkurën, kur një armëpushim lokal, i shpallur nga zonja e parë Melania Trump, u mundësoi prindërve të tij ta merrnin në shëtitjen më të gjatë të jetës së tij. I veshur trashë, me një kapelë të “Mickey Mouse-it” dhe pantallona prej leshi me model panda, familja kaloi më shumë se një orë duke shëtitur në rrugët që zakonisht kërcënohen nga artileria dhe dronët rusë, duke shijuar rrezet e diellit të tetorit pa frikën e zakonshme se fëmija i tyre mund të vritej në çdo çast.

Davyd e tundte lodrën e tij me zile, me sytë e zgurdulluar nga mjedisi i ri që po zbulonte, ndërsa familja shëtiste.

“Do të dëshironim që të ishte kështu gjatë gjithë kohës”, tha nëna e Davydit, Oleksandra, 27-vjeçare, teksa kalonin pranë ndërtesës së bombarduar të zyrës së guvernatorit, në rrugën kryesore të qytetit, e cila është e mbuluar me rrjeta për të kapur dronët rusë. 

Oleksandra, si shumë banorë të tjerë, foli me kusht që të identifikohej vetëm me emrin e saj. Ajo ka frikë nga hakmarrja ndaj prindërve të saj, të cilët ende jetojnë nën pushtimin rus, në anën tjetër të lumit Dnipro.

Armëpushimi i përkohshëm, që pritet të zgjasë tri ditë, filloi herët të martën në mëngjes në rajonin e Khersonit, në Ukrainë, për ta lehtësuar evakuimin e qytetit të afërt të Oleshkyt. Rreth 2.000 njerëz që jetojnë në këtë qytet, të cilin Rusia e pushtoi në shkurt të vitit 2022, po përballen me një krizë urie. Gjendja e tyre gjithnjë e më e rëndë tërhoqi vëmendjen e zonjës Trump, e cila ndihmoi në arritjen e një marrëveshjeje të rrallë mes Rusisë dhe Ukrainës për të ndalur luftimet në atë zonë për aq kohë sa të çminoheshin rrugët dhe banorët të mund të evakuoheshin. Civilët ukrainas më pas do të mund të zgjedhin nëse do të qëndrojnë në territorin e kontrolluar nga Rusia apo do të kthehen në zonat nën kontrollin e Ukrainës.

Rusia s’ka hequr dorë nga pushtimi i Khersonit

Qyteti i Khersonit, i kontrolluar nga Ukraina, i cili ndodhet disa kilometra përtej lumit nga Oleshky dhe zakonisht është pothuajse vazhdimisht nën sulmet ruse, gjithashtu u qetësua këtë javë. Rusia e pushtoi Khersonin në fillim të vitit 2022. Më vonë po atë vit, forcat ukrainase i shtynë trupat ruse përtej lumit. Rusia nuk ka hequr dorë kurrë nga synimi për ta rimarrë qytetin dhe nis shumë prej sulmeve ndaj Khersonit nga Oleshky. Por që nga fillimi i armëpushimit në Oleshky, ajo i ka ndalur sulmet ndaj Khersonit.

Qetësia e papritur ka mundësuar një pushim të jashtëzakonshëm në një prej qyteteve më të rrezikshme të Ukrainës, ku dronët shpesh i ndjekin civilët, në atë që zyrtarët ukrainas e quajnë një “safari njerëzor”.

Të mërkurën, civilët shëtisnin rrugëve të Khersonit me një ndjenjë hutimi dhe kujdesi, ende duke u përpjekur ta kuptonin se si zonja Trump, e cila rrallë ka komentuar për luftën në Ukrainë, arriti t'u siguronte një çast të shkurtër paqeje.

Yurii Kryvyi, 61-vjeçar, një piktor, shkoi të takonte mikun e tij Viktorin dhe t’i tregonte një prej punimeve të tij më të fundit. Kur u pyetën se si planifikonin ta shënonin këtë pushim të shkurtër nga dronët, Kryvyi qeshi.

“Birrë!”, bërtiti ai. “Dhe puro!”

“Purot janë shumë të shtrenjta”, tha Viktori. “Por duhan, po!”

“Dita është e mirë. Ka diell. Dhe më në fund është qetësi”, shtoi Viktori. “Jemi lodhur duke ikur nga dronët. Edhe dronët janë lodhur duke na ndjekur ne”.

Një grup adoleshentësh u takuan për të vizituar vendet e fëmijërisë së tyre, të cilat kishin qenë të paarritshme për vite me radhë: një kinema e mbyllur prej kohësh, një kënd lojërash dhe shkollat e tyre. Të gjithë kanë ndjekur mësimet online që nga viti 2022, duke u kyçur në orët mësimore përmes videothirrjeve, ndërsa Rusia bombardon qytetin jashtë. Ata thanë se prindërit e tyre ishin shqetësuar për daljen e tyre dhe i kishin paralajmëruar të kishin kujdes se ku shkelnin.

Vadym, 14-vjeçar, tha se ishte lehtësuar që fqinjët e tyre në Oleshky më në fund do të arrinin të sigurt në një vend të sigurt. Por ai, sikurse shumë të tjerë në Kherson, ka frikë gjithashtu se, pasi ai qytet i kontrolluar nga Rusia të mbetet pa civilë, Rusia do t’i përforcojë pozicionet atje dhe do t’i shtojë sulmet përtej lumit ndaj Khersonit.

“Nëse sjellin më shumë municion, gjithçka vetëm do të përkeqësohet”, tha Vadym.

Jashtë një kioske kafeje, një grup tjetër miqsh u mblodh për ta diskutuar armëpushimin. Ata po e shijojnë qetësinë këtë javë, por ranë dakord se ajo nuk do të zgjaste.

“Do të jetë më keq se më parë”, tha Oleksandra Kosenko, 37-vjeçare, e cila e drejton kioskën e kafesë. “Pasi të përfundojë e gjithë kjo”, shtoi ajo, “nuk duhet të dalim nga shtëpia”.

Anatolii, 70 vjeç, tha se ndiente që Ukraina po “përdorej si një tabelë shahu”.

“E urrej Donaldin”, tha ai për presidentin Trump. “Ai nuk është njeri serioz. Në mëngjes është miku ynë, në mbrëmje është armiku ynë”.

Miku i tij, Ihor, 63 vjeç, e ndërpreu.

“Melanian e pëlqejmë më shumë!” - tha ai. “E falënderoj që njerëzit të paktën mund të evakuohen”.

Anatolii u pajtua me të.

“Kjo është një grua e bukur dhe me tru!” - tha ai. “Ndoshta, po të ishte një grua në pushtet në SHBA, gjërat do të ishin më mirë”.

Në murin përballë tyre varej një tabelë për lojën e shigjetave, ku ishte vendosur një karikaturë e fytyrës së presidentit rus Vladimir Putin. Një shigjetë i kishte depërtuar mu në mes të ballit.

Svitlana Rominska, 57 vjeçe, tha se ishte mësuar aq shumë me bombardimet e vazhdueshme, saqë “shqetësohem kur është qetësi”.

Olha Avramko, 71 vjeçe, ishte në qendër të qytetit me bashkëshortin e saj për ta kontrolluar shtëpinë e vajzës së saj për herë të parë pas disa vitesh. Vajza e saj e kishte larguar familjen nga Khersoni në vitin 2022 dhe ata ende nuk e dinin nëse shtëpia ishte dëmtuar apo plaçkitur. Deri më tani, vajza e tyre ua kishte ndaluar prindërve ta kontrollonin shtëpinë, nga frika se mund të vriteshin gjatë kësaj përpjekjeje.

Kur mbërritën të mërkurën, brava ishte aq e bllokuar saqë çelësi mezi funksiononte.

Brenda, tha ajo, shtëpia dukej si një kapsulë kohore nga ditët e paqes. Lodrat e vjetra ende qëndronin pranë shtretërve të nipërve dhe mbesave të saj. Ata kishin kaq shumë kohë që ishin larguar, tha ajo, saqë tashmë ishin rritur shumë për të luajtur me to.

Frikë se çfarë mund të ndodhë më pas

Nga frika se një ditë dikush mund të hynte me forcë në pronë dhe ta uzurponte, ajo dhe bashkëshorti i saj varën rroba në telin e tharjes jashtë, për ta bërë të dukej sikur familja ishte kthyer. Ata gjithashtu mblodhën sendet e vlefshme që kishin mbetur, pa e ditur nëse do të kishin ndonjëherë mundësinë të ktheheshin.

Armëpushimi i shkurtër, tha zonja Avramko, “mban erë reklame” për fushatat politike amerikane.

“Jam pak e shqetësuar se çfarë do të ndodhë pas kësaj”, tha ajo.

Kishin kaluar muaj që kur Viktor Trusii kishte mundur t’i vizitonte varrezat ku janë varrosur bashkëshortja dhe djali i tij i madh. Bashkëshortja e tij, Halyna, vdiq nga kanceri në vitin 2021. Djali i tyre vdiq kur ishte fëmijë pasi u godit me veturë nga një shofer i dehur.

Shumë banorë e shfrytëzuan qetësinë për të dalë nga shtëpitë, për t'u furnizuar me ushqime për muajt në vijim dhe për të kryer punë që zakonisht janë tepër të rrezikshme, siç janë vizitat te veterineri apo në bankë. Punëtorët e qytetit nxituan t’i kryenin punët që kërkojnë të jenë në ambiente të hapura, si pastrimi i gjetheve dhe riparimi i vrimave në rrjetat kundër dronëve.

Një turmë u mblodh në një stacion autobusi aty pranë. Një qen që i mungonte njëra këmbë kaloi duke çaluar dhe duke u afruar për të marrë përkëdhelje.

Rruga drejt varreve të tyre ishte aq e minuar, saqë të mërkurën zoti Trusii vendosi të shkonte me biçikletë në vend që ta ngiste makinën. Ai shpresonte se gomat më të holla do t’i jepnin një mundësi më të madhe për të mbijetuar.

Nën qiellin që sapo ishte qetësuar, ai vendosi lule të kuqe pranë gurit të varrit të bashkëshortes së tij, i cili kishte formën e zemrës. Pastaj u nis me biçikletë drejt qendrës së qytetit.

Kur Halyna ishte ende gjallë dhe para se lufta të mbërrinte në Kherson, ata uleshin pranë lumit dhe pinin kafe së bashku, tha ai. Të shkonte pranë lumit dukej tepër e rrezikshme, ndaj të mërkurën ai mori kafe të mjaftueshme për dy persona dhe u ul në një stol në qytet. Në njërën dorë mbante filxhanin, ndërsa në tjetrën fotografinë e saj në telefon.

“Po pi kafe me peshkun tim të vogël”, tha ai mes lotësh, duke përdorur një shprehje ukrainase për njeriun e dashur. Ai tha se nuk donte të qante, por pamja e varreve të tyre, të lëna pa përkujdesje për kaq gjatë, kishte thyer diçka brenda tij.

“Për shkak të atyre bastardëve nuk munda t’i vizitoja”, tha ai, duke iu referuar rusëve.

Ai e kishte humbur gjithashtu shtëpinë e tyre familjare në një ishull të lumit, e cila ishte shkatërruar më herët gjatë luftës. Djali tjetër i çiftit, i cili iu bashkua ushtrisë në vitin 2022, u plagos së fundmi në vijën e frontit. Tani ai ndodhet në një qendër rehabilitimi në Odesa.

Qielli ishte i kthjellët dhe dita e qetë, por zoti Trusii kishte humbur tashmë shumëçka. Ai e kishte të vështirë të gjente ndonjë arsye për të shpresuar.

“Ndihem shumë i vetmuar”, tha ai. 

Pastaj e përfundoi kafenë, hipi në biçikletë dhe u largua — i vetëm.