Sport

“Zhegrova është aset për ligën zvicerane”

Asistimi i fundit i Edon Zhegrovës është vlerësuar shumë lart. Fundjavën e kaluar, Zhegrova bëri një pasim mjeshtëror për Arthur Cabral, që shënoi golin e parë në fitoren 3:1 të Baselit ndaj Luzernit. Zhegrova asistoi edhe në golin e dytë, por pasimi ndaj Cabralit ishte i veçantë.

Reprezentuesi i Kosovës, Zhegrova, me një pasim me pjesën e jashtme të shputës gjeti “si me dorë” që realizoi gol me goditje me kokë. Zhegrova e pranoi topin jashtë zonës, e preku dy herë sa ta shihte lëvizjen e sulmuesit në zonë. Bëri pasimin që përfundimisht do të jetë prej asistimeve më të mira në edicionin aktual të kampionatit zviceran.

Edhe sajti zyrtar i Ligës së Futbollit të Zvicrës ka shkruar për pasimin mjeshtëror të Zhegrovës. Ka komentuar që Zhegrova është aset për “Credit Suisse Super League”.

“Edon Zhegrova mund të jetë paksa i paqëndrueshëm. Por talenti i tij është i padiskutueshëm. Pasimi i tij i bukur me pjesën e jashtme të së majtës, në ndeshjen e së dielës ndaj Luzernit është shembull perfekt për këtë. Statistikat, po ashtu, tregojnë se kosovari 22-vjeçar është një aset për Superligën e Zvicrës. Me gjashtë asistime në shtatë paraqitje, numri 99 i Baselit aktualisht zë pozitën e dytë në listën e asistuesve më të mirë. Ai po ashtu i ka dy gola”, ka shkruar liga zvicerane.

Miroslav Stevanoviq i Servettes ka 13 asistime në 14 paraqitje. Mesatarisht ai ka 0.93 asistime për ndeshje. Me gjashtë asistime nga shtatë ndeshje, mesatarja e Zhegrovës është 0.86 për ndeshje. Të tjerët janë shumë më poshtë. Plot 14 ndeshje i kanë luajtur Adrian Guerrero e Assan Ceesay, që kanë nga pesë asistime, përkatësisht 0.36 për ndeshje.

Tashmë janë luajtur 15 xhiro në Superligën helvetike. Por, Zhegrova i ka shtatë paraqitje. Ka munguar në gjysmën e ndeshjeve për shkak të një lëndimi të meniskut.

Ditë më parë, për KOHËN, Zhegrova ka deklaruar se forma aktuale është “pak prej potencialit të tij”.

“Ju nuk keni parë ende asgjë nga unë”, ka thënë Zhegrova, duke paralajmëruar gjëra të mëdha.