Edon Zhegrova po fluturon. I preferuar para Adam Ounasit në krahun e djathtë, kosovari 24-vjeçar e mbylli një javë me tri asistime që i siguruan Lillet gjashtë pikë.
Të enjten në Ligën e Konferencës kundër Slovan Bratislavas, Zhegrova e kaloi ngërçin duke asistuar për golin e fitores 2:1 të shënuar nga Remy Cabella në minutën e 82-të. Në derbin e Ligue 1 kundër ekipit të Monacos, ai ishte më i merituari për dy golat e Lillet në fitoren 2:0.
Harkimi i saktë i Zhegrovës me këmbën e majtë bëri që Ivan Cavaleiro ta zhbllokojë rezultatin në minutën e 23-të. Ndërkohë, në minutën e 42-të Zhegrova u kujdes edhe për një asistim tjetër me të cilin u vulos fitorja e Lillet. Me dy asistimet e tij, Zhegrova ishte vendimtar dhe më në fund ishte një lojtar kolektiv që e ndihmoi Lillen ta rrëzojë nga froni Monacon, ekip që deri para kësaj përballjeje ishte lider i kampionatit francez.
Loja kolektive e Zhegrovës në ndeshjet e fundit ka bërë që sulmuesi i krahut të ketë një dimension tjetër. Kjo për faktin se Lille nga lojtari numër 23 në fushë, prejse iu bashkua në janar të vitit të shkuar ose merr gjithçka ose asgjë në ndeshje, siç ka theksuar edhe trajneri, Paulo Fonseca. Fonseca insiston se Zhegrova është përmirësuar dukshëm në krahasim me atë se çfarë tregoi në fillim të edicionit.
“Ndonjëherë ai më nervozon. Nuk e nisi mirë sezonin. Por, në katër ndeshjet e fundit ai është përmirësuar. Mendoj se është më i balancuar, është përmirësuar shumë në mbrojtje. Mendoj se është më vendimtar tani sepse është më i balancuar. Ai duhet të luajë në vazhdimësi. Tani ai është më i mirë se sa ishte në fillim të sezonit”, tha Fonseca.
Edhe
Genesio flet sërish për Zhegrovën
Megjithatë duket se Fonseca është më i merituari për këtë formë të mirë të Zhegrovës. Fonseca bëri bujë kur e largoi Zhegrovën në pjesën e parë ndaj Olimpijas së Lubjanës më 20 shtator. Kjo ndeshje i takoi fazës së grupeve të Ligës së Konferencës, ndërsa Zhegrova u zëvendësua pas 45 minutave për shkak se nuk u vërejt në fushë. Duket se kjo rezultoi te Zhegrova, i cili tashmë e ka bërë më të thjeshtë lojën e tij duke e kufizuar driblimin.
“Edoni ka qenë gjithmonë një lojtar shumë i talentuar. Ai mund të vendosë pak më shumë stabilitet në ekip, nëse në qetësi i bën zgjedhjet e tij. Ai mendon më shumë dhe dëshiron më shumë. Edhe në baza ditore e gjej atë pak më të qetë se zakonisht”, tha bashkëlojtari i tij, Lucas Chevalier.
Një simbol i këtij evolucioni të Zhegrovës ishte asistimi i tij i dytë kundër Monacos kur pa dhe shërbeu Bafode Diakiten në ritmin e duhur, në vend që të shkonte drejt golit siç do të kishte bërë në të kaluarën e afërt.
“Zhegrova ishte fantastik dhe pothuajse i pandalshëm”, pranoi trajneri i Monacos, Adi Hutter. “Ai është dikush që pëlqen të driblojë, ai ka një këmbë të majtë shumë të mirë. Ai ndryshoi lojën”.
Përveç dy asistimeve të tij , Edon Zhegrova bëri përpjekje edhe në mbrojtje duke u kthyer prapa derisa u zëvendësua në minutën e 72-të nga Adam Ounas.
“Edoni po kalon një periudhë të mirë, por unë dua të vlerësoj punën e tij në mbrojtje”, tha Fonseca. “Ai ka bërë shumë punë për ekipin. Të kemi një lojtar me atë mentalitet, i cili e bën këtë punë, është shumë e rëndësishme për ne”.
Nëse Zhegrova mban një nivel kaq të lartë lojës, atëherë trajneri do të ketë mundësinë e zgjedhjes së lojtarëve për repartin e sulmit, përfshirë këtu Adam Ounas, Ivan Cavaleiro, Yusuf Yazici, Remy Cabella dhe Hakon Haraldsson.
Edhe
Zhegrova kthehet te Lille, ftohet ndaj Monacos
“Është shumë e vështirë të zgjedhësh tani, por është shumë pozitive të kesh mundësinë për të luajtur me lojtarë të ndryshëm”, shtoi Fonseca.
Në 14 ndeshje të luajtura deri më tani për Lillen, Zhegrova ka në total dy gola të shënuar dhe katër asistime në të gjitha garat.