Edon Zhegrova ngriti dy herë duart lart gjatë ndeshjes Luzern – Basel. Jo për të kundërshtuar ndonjë vendim, por për t’iu gëzuar golit të parë dhe të dytë të Baselit, që mposhti në udhëtim Luzernin me rezultatin 3:1.
Zhegrova asistoi në golin e parë të shënuar në minutën e tretë dhe në të dytin, të realizuar në minutën e 49-të. Asistimi i parë ishte i veçantë. Por reprezentuesi i Kosovës insiston se “ende nuk është parë më e mira e tij”.
Ai të dielën pas ndeshjes, në një intervistë për KOHËN, ka thënë se është i kënaqur me formën që po kalon me fanellën e Baselit së fundi.
Sulmuesi 22-vjeçar i Përfaqësueses së Kosovës në 12 ndeshje këtë edicion me fanellën e skuadrës zvicerane ka shënuar katër gola dhe ka asistuar gjashtë herë.
“Jam shumë i kënaqur me formën dhe besoj se do të vazhdoj kështu”, ka theksuar Zhegrova. Ai tregon se janë lëndimet që e kanë penguar për të mos pasur më shumë ndeshje, gola e asistime këtë edicion.
Zhegrova e nisi mirë sezonin. Në dy ndeshjet e para shënoi një gol dhe asistoi tri herë. Por, në gusht, përkatësisht në ndeshjen e xhiros së tretë, pësoi një lëndim të meniskut që e la jashtë fushës deri në tetor. Ai tregoi formë të mirë pas kthimit nga lëndimi, të cilën po vazhdon ta ketë ende.
“Lëndimet ndodhin por unë besoj në cilësitë e mia dhe mundohem ta jap më të mirën në çdo ndeshje. Jam duke i shijuar momentet e mia në fushë, si gjithnjë”, është shprehur futbollisti teknik.
Zhegrova në shkurt të vitit 2019 u huazua te Baseli, ndërsa qëndroi fillimisht deri në verën e vitit 2020. Genku i Belgjikës vendosi shitjen e Zhegrovës në shtator të vitit të kaluar. Zhegrova ua ka shpaguar besimin zviceranëve, ndërsa pret që me Baselin ta fitojë titullin e kampionit. Ai e sheh veten në një periudhë të shkurtër pjesë e ndonjë klubi të madh evropian.
“Synim im me Baselin është ta fitoj titullin dhe premtoj në çdo ndeshje maksimumin dhe më të mirën për ekipin. I falënderoj të gjithë ata që më përkrahin. E shoh veten në një ekip të madh, por për momentin jam i fokusuar te Baseli. Në Basel jam rritur shumë dhe vazhdoj të mësoj shumë gjëra. Jam i kënaqur me ekipin dhe punën e trajnerëve”, është shprehur Zhegrova.
Zhegrova me Baselin ka kontratë deri në qershor të vitit 2023. Shkaku i lëndimit i ka munguar edhe Kosovës në disa ndeshje. Por është vlerësuar se inkuadrimi i tij në disa ndeshje ka pasur ndikim në ritmin e lojës së “Dardanëve”. Për Kosovën, Zhegrova nga marsi i vitit 2018 ka shënuar dy gola në 24 ndeshje. Ai insiston se ka merituar të ketë më shumë hapësirë.
“Te Kosova kam merituar hapësirë më të madhe dhe mendoj që e meritoj. Unë do të jem i gatshëm gjithmonë dhe respektoj vendimet e trajnerit. Dua ta shoh Kosovën sa më lart. Besoj shumë në gjëra të mëdha dhe mendoj se do të vijë dita”, ka theksuar Zhegrova që jo rrallëherë është gjykuar dhe kritikuar për paraqitjet e tij me fanellën e Kosovës.
“Gjykimi ndaj meje vjen prej atyre që nuk më duan, por vetëm më të fortë më bënë E dinë të gjithë kualitetin tim dhe janë duke e parë, por ende nuk kanë parë asgjë. Unë e di talentin tim, por me kohë do të shohim se çfarë kapaciteti kam. Kritikëve do t’u përgjigjem në fushë. Kam edhe shumë çka të jap në fushë. Ende nuk kanë parë asgjë. Gjithsesi dua t’i falënderoj të gjithë përkrahësit dhe ata që më duan, popullin e Kosovës. Sa herë që vijë te Kosova ndiej shumë dashuri. Kjo është arsyeja që kam zgjedhur të luaj për Kosovën me zemër. E ka thënë edhe i ndjeri legjenda e Kosovës, Fadil Vokrri dhe besoj nuk duhet të flas më shumë”, ka thënë Zhegrova.
Ai pret të ketë më shumë hapësirë nën drejtimin e selektorit të ri, që pritet të mësohet në fillim të vitit të ardhshëm, ndërsa ka folur edhe për raportet me ish-selektorin Bernard Challandes.
“Raportet me Bernard Challadin kanë qenë në fillim të mira, por pastaj nuk e di pse u zbehën. Besoj që kanë ndikuar mediat dhe gjërat e pavërteta dhe ndonjë person, por unë kam respekt për të. Me lojtarët e Kosovës raportet i kam shumë të mira”, ka thënë Zhegrova.