Sport

Zhalgirisi synon rezultat pozitiv në Prishtinë

Te kampioni i Lituanisë, Zhalgirisi, vlerësojnë pritjen që u është bërë me të mbërritur në Prishtinë. Por synimi i tyre është që nga Prishtina për në Vilnius të kthehet me rezultat pozitiv.

Trajneri i Zhalgirisit, Vladimir Cheburin, thotë se kanë analizuar Ballkanin. Trajneri rus ka vlerësuar se Ballkani ka një përparësi të vogël që të martën luan para shikuesve të vet.

Ndeshja në mes të Ballkanit dhe Zhalgirisit luhet të martën në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Është e para e raundit të parë kualifikues të Ligës së Kampionëve. Ndeshja nis në orën 20:00.

“Kemi analizuar ekipin kundërshtar. E dimë që kampionati ka përfunduar dhe Ballkani ka fituar titullin e kampionit. Ndeshja do të jetë në mes dy kampionëve dhe është ndeshja e parë për të dyja ekipet. Do të jetë një ndeshje e rëndësishme. Të dyja ekipet mendoj se kanë analizuar njëra-tjetrën. Ballkani do ta ketë mundësinë të na shohë edhe nga afër më shumë dhe do të jetë një ndeshje interesante. Ne kemi bërë detyrat tona dhe shpresojmë të dalim mirë nesër. Ballkani ka pasur një paraqitje të mirë në kampionat dhe kjo skuadër është në fillim të sezonit të ri. Ballkani luan në shtëpi dhe është në avantazh, por jo edhe shumë të madh”, ka thënë Cheburin.

Zhalgirisi në Kosovë ka ardhur si kampion dhe lider i kampionatit Lituanisë. Futbollisti kroat i Zhalgirisit, Petar Mamiq, ka thënë se Ballkani është skuadër për t’u respektuar. Megjithatë, synimi i ekipit, siç thotë Mamiq, është rezultati pozitiv.

“Për Ballkanin do të jetë kjo ndeshja e parë e sezonit. Ne kemi analizuar kundërshtarin. Çdo kampion i secilit vend duhet të respektohet dhe ne do të luftojmë nesër në pjesën e parë, sepse pjesa e dytë do të luhet në Lituani. Por, synimi ynë është që të kthehemi në shtëpi me rezultat të mirë. Pritja ka qenë e ngrohtë, kam pritur një gjë të tillë nga ky shtet dhe ky mentalitet. E rëndësishme është që nesër të shohim të gjitha në ndeshje”, ka thënë Mamiqi.

Zhalgirisi ka fituar nëntë herë titullin e kampionit të Lituanisë. Suksesin më të madh në Evropë e ka kalimin deri në rrethin e tretë kualifikues të Ligës së Evropës.

Në gara evropiane skuadra lituane ka 85 paraqitje në total. Ka 26 fitore, 16 barazime e 43 humbje.

Lituania nuk është e njohur për futbollin. Më shumë është e njohur për basketbollin shumë të zhvilluar. Por Zhalgirisi do të mundohet të dëshmojë që në shtetin e basketbollit luhet edhe futboll i mirë.