Te kampioni i Lituanisë, Zhalgirisi, kanë pranuar se ishin me fat në ndeshjen e parë me Ballkanin e Suharekës.
Javën e kaluar në “Fadil Vokrri” në Prishtinë, Zhalgirisi mori barazim 1:1, ndonëse kampioni kosovar ka dominuar në fushë dhe ka krijuar shumë raste. Ndeshja e kthimit e raundit të parë kualifikues të Ligës së Kampionëve zhvillohet të martën prej orës 18:00 në Vilnius, përkatësisht në stadiumin “LFF Stadium”.
“Shumë gjëra shkuan keq për ne në ndeshjen e parë dhe kjo ndodhi për shumë arsye. Është mirë që kemi shënuar dhe kemi barazuar pasi pranuam golin. Kundërshtari ka lënë përshtypje të një ekipi shumë agresiv. Tani i dimë pikat e forta dhe të dobëta të kundërshtarit. Bazuar në këtë, ne po përgatitemi për ndeshjen e së martës”, ka thënë trajneri i Zhalgirisit, Vladimir Cheburin.
Kapiteni i Vilniusit, Saulius Mikoliunas, ka thënë se skuadra ka luajtur një prej ndeshjeve më të dobëta këtë vit në Prishtinë. Trajneri Cheburin nuk është pajtuar plotësisht me të.
“Ndoshta jo. Nuk mund të them se ishte shfaqja më e dobët këtë vit. Po, ne kemi bërë gabime që i kanë lejuar kundërshtarit të krijojë raste, që të ketë iniciativën. Kjo ndodhi për arsye të ndryshme. Gjithsesi do të jetë dukshëm më lehtë në shtëpi, me përkrahjen e tifozëve tanë”, ka shtuar trajneri kazak. “Ne do të luajmë lojë më agresive dhe më të guximshme. Por natyrisht çdo gjë duhet të bëhet me mençuri”.
Cheburin ka theksuar se loja në mbrojtje nga pozitat standarde nuk është pika e vetme e dobët e Ballkanit. Ai ka thënë se në Prishtinë kanë ekspozuar dobësi tjera që i kanë ditur për Ballkanin. Sipas Cheburinit, bazuar në lojën e parë, Vilniusi do të përgatitet për lojën e kthimit. Cheburin vlerëson se çdo gjë është në dorën e Vilniusit.
Edhe
Zhalgirisi synon rezultat pozitiv në Prishtinë
“Dua ta theksoj që luajmë në fushën tonë me përkrahjen e tifozëve. Ne e njohim potencialin që e kemi. Kemi skuadër të fortë dhe bankë të fortë. Çdo gjë është në duart tona. Kemi folur me ekipin për ndeshjen e parë. Kemi folur për kundërshtarin dhe për ne. Nuk kemi kaluar aq mirë në Kosovë. Sa i takon anës psikologjike, fusha jonë dhe tifozët tanë do të jenë përparësi”, ka shtuar trajneri i Zhalgirisit.
Skuadra që kalon tutje në rundin e dytë kualifikues takohet me Malmon apo Vikingurin islandez. Ndërsa skuadra që eliminohet, vazhdon garimin në rundin kualifikues të Ligës së Konferencës.