Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Zeqiri zyrtarizohet te Brightoni

Sulmuesi kosovar Andi Zeqiri ka kompletuar transferimin te klubi i Premier Leagues së Anglisë, Brighton & Hove Albion.

Zeqiri është transferuar te Brightoni nga Lausanne e Zvicrës dhe ka firmosur kontratë deri në qershor të vitit 2024.

Sulmuesi 21-vjeçar deri më tash ka luajtur për U-21 e Zvicrës, ndërsa kishte qenë në qendër të vëmendjes këtë javë, pasi babai i tij fillimisht tha se ai ka vendosur të luajë për Kosovën, gjë të cilën e konfirmoi edhe presidenti i FFK-së, Agim Ademi, por nga Federata e Zvicrës u tha se Zeqiri ka dërguar letër ku ka thënë se do të vazhdojë të luajë me Zvicrën.

“Unë e di se trajneri i beson lojtarëve të rinj. Më pëlqen stili i lojës. Unë e di se ata shpesh e kanë topin dhe i pëlqen loja me posedim. Unë kam pasur mundësi të shoh se çfarë më ka ofruar trajneri sa i përket sistemit të lojës. Kjo më ka bindur vërtetë. Shpresoj të bëj gjëra të mëdha me të. Brightoni është ekip i mirë. E kam parë duke luajtur disa herë, veçanërisht kundër Unitedit, ndeshje që ishte mjaft e mirë dhe kam mundur ta shoh veten si pjesë e kësaj. Shpresoj të bëjmë gjëra të mira këtë stinor”, ka thënë Zeqiri për faqen zyrtare të klubit.

Trajneri i Brightonit, Graham Potter, e ka vlerësuar lartë Zeqirin. 

“Ai është një lojtar që e kemi përcjellë për një kohë të gjatë. Ne i dimë kualitetet e tij dhe çfarë mund të sjellë ai. Ai është talent i madh dhe do të na shtojë opsione në sulm. Ai ka luajtur në nivel të mirë nga një moshë e re dhe ka përvojë të mirë në Zvicër dhe Itali”, tha Potter. 

Artikuj të ngjashëm