Sulmuesi kosovar Andi Zeqiri shumë shpejt pritet ta ketë rastin të luajë për skuadrën e Brightonit, që garon në Premier Leaguen e Anglisë. Kështu ka thënë trajneri i skuadrës angleze, Graham Potter të enjten, kanë raportuar mediumet angleze.
Trajneri Potter ka theksuar se Zeqiri është përshtatur mirë në ekip dhe ka lënë përshtypje të mira gjatë stërvitjeve. “Ai më ka lënë përshtypje pozitive. Është një lojtar që mund të luajë në shumë pozita të vijës së parë të sulmit. Reagimet e tij kanë qenë të mira, duke treguar aftësi të mira teknike. Personaliteti i tij më ka lënë shumë përshtypje. Ai e shijon futbollin, kjo vërehet nga buzëqeshja e tij”, ka thënë Potter. Sulmuesi 21-vjeçar, te Brightoni u transferua një muaj më parë nga skuadra e Lausannes dhe me ekipin e ri firmosi kontratë deri në vitin 2024.
Mirëpo, reprezentuesi i ekipit U-21 të Zvicrës është në pritje të debutimit në Angli. Brightoni pas shtatë xhirove të luajtura në Premier League, zë vendin e 15-të në tabelë me pesë pikë të tubuara.