Arbër Zeneli ishte prej më të mirëve në fushë te skuadra e Reimsit në duelin e vështirë kundër liderit të elitës franceze, Paris Saint-Germainit. Reimsi dhe PSG-ja, barazuan pa gola në fundjavë. Zeneli, të enjten në konferencën për shtyp para ndeshjes kundër Lorientit në udhëtim në kuadër të xhiros së 11-të të Ligue 1, pret paraqitje të ngjashme. Por, tani shpreson në marrjen e pikëve të plota. Ky duel luhet të shtunën nga ora 17:00. Ndeshja me Lorientin vlerësohet e vështirë, pasi kundërshtari i së shtunës pozicionohet në vendin e dytë me 25 pikë, një më pak se PSG-ja lidere. Reimsi është i 15-ti me tetë pikë. “Lorienti është skuadër shumë e mirë në mbrojtje, që luan edhe me kundërsulme.
Do të na takojë neve të gjejmë hapësira kundër një skuadre shumë të bashkuar dhe shpresoj që të arrijmë rezultat pozitiv atje. Kundër PSG-së, ne kemi luajtur me presing të lartë dhe agresiv. Shpresoj që të luajmë njësoj kundër skuadrave tjera sepse ne duam të luajmë futboll dhe jo në 30 metërshin e fushës tonë”, ka thënë Zeneli fillimisht. Zeneli 27-vjeçar në gjashtë paraqitje sivjet në elitën franceze e ka një asistim. Ai rikthesoi edhe një herë tjetër se nuk e ka pasur minutazhën e duhur sivjet.
“Nuk kam luajtur shumë qëkur ka nisur sezoni i ri, kështu që është gjë e mirë që me paraqitjen e javës së kaluar e kam gjetur ndjesinë e mirë. Shpresoj ta ndihmoj ekipin duke shënuar apo asistuar”, është shprehur Zeneli.
Skuadra e Reimsit të enjten e shkarkoi trajnerin spanjoll Oscar Garcia, ndërsa ekipin do ta udhëheqë asistenti William Still.