Djaloshi nga Lipjani me vendbanim në Wimbledon të Britanisë së Madhe, Diell Zejnullahu, është kampion botëror në peshëngritje.
17-vjeçari në Kileen të Texasit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e përfaqësoi Britaninë e Madhe në Kampionatin Botëror të peshëngritjes dhe e mori medaljen e artë në garën që u mbajt nga data 16 deri më 22 prill, e organizuar nga Federata Ndërkombëtare e Peshëngritjes.
Në këtë botëror, 17-vjeçari ishte dukshëm më i mirë se garuesit e tjerë, duke ngritur 132.5 kg, në shtytje në gjoks, 10 kg më shumë se sa vendi i dytë Vindas Rodriguez nga Costa Rika, ndërsa në vendin e tretë e la amerikanin Morrison.
Zejnullahu merr pjesë në kategorinë prej 95 deri në 105 kg, derisa për Sportin në KTV, tregon arsyet e arritjes së këtij suksesi dhe mënyrën e stërvitjeve.
Peshëngritësi i ri, por me fizik të jashtëzakonshëm për moshën e tij, i ka rezultatet më të mira në Britani dhe ishte i përzgjedhur për ta përfaqësuar Anglinë.
Ai përveç peshëngritjes, drejtim ky që është përcaktuar tash e një kohë, tregon se në të kaluarën ka qenë i suksesshëm edhe në sporte të tjera.
Për të ardhmen synon të marrë të tjera medalje të arta dhe suksese edhe më të mëdha, ndërsa nuk e la pa e përmendur Kosovën, duke thënë se një ditë dëshiron që ta përfaqësojë shtetin nga ku e ka prejardhjen.