Erion Zabeli është transferuar te skuadra e Brentfordit të Premier Leagues angleze. Ai do të jetë pjesë e skuadrës B të Brentfordit, që e ka zyrtarizuar transferimin e tij të mërkurën gjatë ditës. Zabeli është transferuar nga Oxford United, me marrëveshje njëvjeçare, me opsionin e vazhdimit edhe për një vit tjetër. Qendërmbrojtësi iu bashkua skuadrës së Brentford B që drejtohet nga Neil MacFarlane në ditën e parë të përgatitjeve për kampanjën e re. Në dy edicionet e kaluara, Zabeli ishte pjesë e Oxfordit U18. Në sezonin e fundit, skuadra e tij shkoi deri në çerekfinale të Kupës FA për të rinj.
Zabeli ka qenë pjesë e katër grupmoshave të Shqipërisë. Me U19 të Shqipërisë zhvilloi katër paraqitje.
Zabeli ka thënë për faqen zyrtare se është shumë i lumtur me këtë transferim. “Është nder për mua dhe si djalë i lindur në Londër, e di se çfarë do të thotë të luash për këtë klub dhe sa punë duhet të bëj. Herën e parë që erdha këtu në stërvitje më kujtohet se kam thënë duhet të qëndrojë këtu dhe duhet shumë punë. Ia arrita me paraqitje të mira dhe e përfunduam marrëveshjen”, ka thënë Zabeli.
Për 18-vjeçarin Zabeli, mediumi “Daily Mail” ka shkruar se kanë qenë të interesuara edhe Rangersi skocez dhe disa skuadra të tjera të njohura evropiane. Zabeli bëhet futbollisti i tretë që përfaqëson Shqipërinë dhe që bëhet pjesë e një skuadre që bën gara në Premier League, pas Armando Brojës të Chelseat, dhe Lorik Canës që luajti për Sunderlandin, shkruan mediumi anglez. Zabeli ka të drejtë ta përfaqësojë edhe Kosovën dhe Anglinë.