Futboll

Zeqiri flet për periudhën në Premier League

Andi Zeqiri

Andi Zeqiri nuk është penduar që ndoqi ëndrrën për t’iu bashkuar Brightonit në Premier Leaguen e Anglisë. Por ai ka thënë se i mungoi durimi dhe puna për të fituar vendin e titullarit te klubi elitar i Anglisë.

Sulmuesi Widzew Lodzit, Zeqiri, luajti vetëm nëntë ndeshje në Premier League për Brightonin. Më pas ekipi anglez e huazoi fillimisht tek Augsburgu në Bundesligë e më pas edhe te Baseli.

“Futbolli ka të bëjë me sfidat dhe kapjen e mundësive. Kur një klub i Premier Leagues më kontaktoj, nuk llogarita asgjë sepse arritja në këtë ligë ishte ëndrra ime. Nuk mund të pendohem që ndoqa ëndrrat e mia. Nëse do të ndryshoja diçka, ose do t’u jepja këshilla lojtarëve më të rinj që e kanë këtë mundësi, do t’u thosha të ishin më të durueshëm. Doja të luaja menjëherë, por kjo nuk ishte e mundur.

Te Brightoni, përgatitja e lojtarëve për ndeshje në Premier League është proces. Më mungonte durimi dhe puna e vazhdueshme për të fituar vendin tim”, ka thënë Zeqiri në intervistën dhënë për “Interia Sport”.

Zeqiri iu bashkua Widzew Lodzit të Polonisë nga Genku në verën e vitit të kaluar. Ai ka shënuar vetëm një gol në 11 ndeshjet e këtij edicioni në kampionatin elitar të Polonisë.

Për Zvicrën ka shënuar një gol në 18 ndeshje.