Golden Eagle Ylli është një prej 18 kampionëve aktualë shtetërorë që do të paraqitet në edicionin 2022/2023 të Ligës së Kampionëve në basketboll.
Liga e Kampionëve është gara kryesore e FIBA Evropës për klube të kontinentit, por për nga niveli vlerësohet se qëndron prapa Euroligës dhe Eurokupës. Këto dy gara nuk i organizon FIBA.
Kampioni kosovar, Ylli, të enjten mëson kundërshtarin e parë në Champions, përkatësisht në kualifikimet e kësaj gare. Kundërshtarët e mundshëm të Yllit tashmë dihen dhe asnjëri prej tyre nuk është i lehtë. Benfica e Portugalisë, Rio Breogan i Spanjës, Niners Chemnitz i Gjermanisë dhe Kormendi i Hungarisë janë ekipet me të cilat Ylli i Suharekës do të takohet në çerekfinale të fazës kualifikuese. Nëse eventualisht e kalon kundërshtarin e parë, Ylli do të luajë në gjysmëfinale. Pas gjysmëfinales është finalja dhe vetëm ekipet fituese të finaleve të kualifikimeve kalojnë në stinorin e rregullt.
Shorti tërhiqet prej orës 11:00 në Gjenevë.
Ylli për herë të parë luan në gara evropiane dhe është në vazon e fundit. Tofashi i Turqisë, Brose Bamberg i Gjermanisë, Unicaja e Spanjës, Bakken Bears i Danimarkës, Fribourg Olympic i Zvicrës, Keravnos i Qipros, Opava e Çekisë dhe Karhu i Finlandës startojnë fazën kualifikuese prej gjysmëfinales.
“Sinqerisht të gjitha prej katër ekipeve, që mund të na bien me short, janë të forta. Ndoshta preferencë do ta kisha ekipin nga Gjermania dhe Benfican, që duken pak më të dobëta se dy ekipet e tjera. Ne do të jemi gati për secilin kundërshtar. E presim shortin të përgatitur dhe ndoshta do të kemi pak fat”, ka thënë drejtori sportiv i Yllit, Egzon Fetiu. “Në Champions nuk ka ekipe të lehta”, ka shtuar ai.
Ylli për herë të dytë rresht ka fituar titullin e kampionit të Kosovës. Vjet nuk luajti në Evropë, ndërsa sivjet ka vendosur të debutojë. Ndërkohë Trepça e Sigal Prishtina do të garojnë në FIBA Europe Cup, që është niveli i katërt evropian. Edhe Ylli pas eliminimit në Champions do të vazhdojë në FIBA Europe Cup.
Mbi 70 ekipe kanë aplikuar për të garuar në Ligën e Kampionëve, ndërsa 52 prej tyre janë konfirmuar si pjesëmarrëse. Ka ekipe nga 29 vende evropiane.
Rundi i parë kualifikues, përkatësisht çerekfinalet, luhen më 21 shtator. Më 23 shtator janë gjysmëfinalet e kualifikimeve, ndërsa më 25 shtator janë finalet.
Në kualifikime paraqiten 24 ekipe, ndërsa vetëm katër prej tyre kalojnë në stinorin e rregullt.
Prishtina ka luajtur tri herë në rundin e parë kualifikues të Championsit, së fundi në edicionin 2019/2020. Nuk ka avancuar asnjëherë dhe ka vazhduar në FIBA Europe Cup. Prej edicionit 2019/2020, skuadrat kosovare të basketbollit nuk kanë luajtur në gara evropiane.