Sport

Ylli paralajmëron kundërshtarët, synon të gjithë trofetë

Te Golden Eagle Ylli ka synime të mëdha për pjesën e mbetur të edicionit 2021/22 që nis këtë javë. Krahas mbrojtjes së titullit të kampionit të Superligës dhe Ligës Unike, Ylli synon të triumfojë edhe në Kupën e Kosovës për herë të parë në histori të klubit. E synimet e Yllit për ta mbyllur sezonin me tre trofe, e ka konfirmuar edhe basketbollisti Gëzim Morina, të dielën. Ai ka thënë se Ylli ka ekip për ta bërë një gjë të tillë dhe se nuk do të dorëzohet për asnjë moment. Stërvitjet e fundit para fillimit të stinorit pranveror që nis të mërkurën, skuadra nga Suhareka po i kryen në Durrës. Morina ka thënë se faza përgatitore ka shkuar shumë mirë dhe me padurim po e pret rifillimin e sezonit.

“Qëllimi ynë është që të mbrojmë dy trofetë që kemi fituar sezonin e kaluar, Superligën e Kosovës dhe Ligën Unike. Gjithashtu, gjithashtu kemi ambiciet tona që të fitojmë për herë të parë në histori të klubit edhe Kupën e Kosovës. Do të angazhohemi deri në fund dhe shpresojmë në rezultate pozitive”, ka thënë Morina, i cili këtë sezon me Yllin e ka fituar Superkupën e turneut të Ligës Unike.

Megjithatë, Morina ka pranuar se nuk do të jetë aspak lehtë për shkak se në stinorin pranveror të gjitha skuadrat do të jenë të përforcuara. Ai është i bindur se do të jetë një garë e fortë në të gjitha frontet, por ka shtuar se në fund shpreson që Ylli t’i koleksionojë të gjithë trofetë e këtij sezoni.

“Padyshim që pjesa e dytë e stinorit do të jetë shumë e vështirë për të gjithë, ka shumë ndryshime në skuadra dhe do të jetë luftë e ashpër në të gjitha frontet. Na pret një orar mjaft i ngjeshur dhe besoj se do të ketë shumë surpriza. Shpresoj që të mund të kemi sa më shumë tifozë të pranishëm në palestra dhe të shijojmë një kampionat fantastik . Të gjitha skuadrat janë përforcuar dhe do të jetë një kampionat i fort deri në fund”, është shprehur Morina.

Garat në Superligën e Kosovës Ylli e nisi me tri humbje, për t’u kthyer fuqishëm duke e përmbyllur edicionin me dhjetë fitore e katër humbje. Renditet i dyti në tabelë me 24 pikë të mbledhura, sa i ka edhe skuadra e Trepçës që dimëron si kampione falë koshdallimit më të mirë. Ndërkohë, në Ligën Unike turneun nismëtar të së cilës e fitoi, Ylli e mbylli stinorin vjeshtor në pozitën e parë me 13 pikë të mbledhura pas shtatë xhirove të luajtura. Ndeshjen e parë të këtij viti, Ylli e luan në udhëtim te Trepça në mesjavë, në kuadër të xhiros së 15 të Superligës ndërsa në fundjavë, do të përballet me Vllazninë e Shkodrës që e pret në shtëpi, ndeshje kjo që i takon javës së tetë. Stinorin vjeshtor të Ligës Unike, Ylli e ka mbyllur në pozitën e parë në tabelë me 13 pikë pas shtatë ndeshjeve të luajtura.

“Mendoj se jemi të gatshëm për vazhdimin e stinorit, edhe pse ende jemi duke kërkuar lojtarë të huaj me të cilët do ta kompletonim ekipin, ndihemi mjaft mirë me grupin e lojtarëve që kemi në dispozicion”, ka insistuar Morina, i cili në pjesën e parë të këtij sezoni ka luajtur me një mesatare prej 12 pikëve dhe nëntë kërcimeve për ndeshje. “Tash e disa ditë jemi në Durrës, stërvitjet kanë shkuar mjaft mirë. Pas një kohe të gjatë kemi pasur kohë të mjaftueshme për stërvitje dhe mendoj se këto ditë i kemi shfrytëzuar maksimalisht për t’u përgatitur sa më mirë”.