Te Golden Eagle Ylli insistojnë se synimi është mbrojtja e titullit të kampionit në Superligën e Kosovës në basketboll. Mirëpo, para titullit të kampionit të Kosovës, tek Ylli synojnë mbrojtjen e një titulli tjetër, atë të Ligës Unike.
Për synimet maksimale të Yllit, të hënën për KOHËN ka folur basketbollisti Erjon Kastrati, njëri prej më të dalluarve te skuadra nga Suhareka.
Kastrati është lojtari më efikas tek Ylli këtë edicion. Ai po luan me mesatare prej 16.3 pikëve për ndeshje në Superligë, ndërsa në Ligën Unike ka 19.2 pikë për ndeshje.
Deri në fund të stinorit të rregullt në Superligë ka mbetur vetëm edhe një xhiro, ndërsa në Ligën Unike këtë javë luhet “Final Four” që do të mbahet në Pejë. Si në Ligën Unike ashtu edhe në Superligën e Kosovës, Ylli pjesën e rregullt e mbyll në pozitën e parë në tabelë. Në Superligë ka tubuar 48 pikë pas 27 ndeshjeve të luajtura, ndërsa në xhiron e fundit luan në Suharekë ndaj Pejës.
“Sigurisht që po”, u përgjigj Kastrati në pyetjen se a mund ta mbrojë Ylli titullin e kampionit. “Synimi ynë kryesor është ta mbrojmë titullin e kampionit të Kosovës”.
Në elitën e basketbollit kosovar, Ylli do të kualifikohet direkt në gjysmëfinale të plejofit dhe do ta presë kundërshtarin nga dueli çerekfinal. Ndërsa në Ligën Unike, në gjysmëfinale, do të përballet me skuadrën e Teutës nga Durrësi.
“Final Fouri” i Ligës Unike do të luhet të mërkurën e të enjten.
“Megjithatë, nuk duhet harruar se ta mbrosh titullin është shumë më e vështirë se ta fitosh për herë të parë. Të gjithë në klub jemi të vetëdijshëm se do të jetë shumë vështirë mbrojtja e titullit, por do të bëjmë të pamundurën për ta arritur qëllimin”, shtoi Kastrati. “Po ashtu, besoj që kemi kualitet në ekip për ta arritur një sukses të tillë”.
Kastrati thotë se edicioni i Yllit në përgjithësi ka qenë shumë i suksesshëm, hiq tri ndeshjet e para. Ai shton se Ylli vetëm së fundmi është “rehatuar” me lojtarët e huaj, të cilët i ka ndërruar shpesh dhe për këtë arsye nuk ka qenë aspak e lehtë për trajnerin Adis Beqiragiq. Kastrati pranoi se tek Ylli janë ndërruar “tri grupe” lojtarësh dhe ekipi ende nuk është në formën optimale. Aktualisht Ylli i ka pesë lojtarë të huaj në radhët e veta, me të cilët edhe do ta mbyllë sezonin: Chris Harris, Malcolm Grant, Dajuan Graf, Henrik Shirko e Milosh Lopiçiq. Katër kanë të drejtë të luajnë.
“Përveç atij fillimit të dobët të sezonit ku i kemi humbur tri ndeshjet e para, vazhdimin e edicionit e konsideroj si mjaft të suksesshëm. Kemi pasur vazhdimësi në lojë dhe pak e shumë kemi arritur ta ruajmë pozitën e parë në tabelë pothuajse gjatë gjithë edicionit”, shtoi Kastrati. “Ekipin me lojtarë të huaj e kemi plotësuar tri herë këtë edicion, gjë që nuk është aspak e lehtë për trajnerin. Lojtarët që kanë ardhur së fundmi kanë vetëm një muaj me ne. Ende nuk jemi në gjendjen optimale, por besoj që deri në plejof do të komponohemi më mirë dhe do të jemi gati për ta mbrojtur titullin”.
Ylli tashmë e ka fituar një trofe, atë të Superkupës Mbarëkombëtare. Gjasat janë që edicionin ta mbyllë me tre trofe.
“Për momentin i gjithë fokusi ynë është në Ligën Unike. Është sistem ‘Final Four’ ku luhet vetëm një ndeshje dhe gjithçka është e mundur. Do të japim gjithçka nga vetja që ta mbrojmë titullin edhe në Ligën Unike sikurse në Superligën e Kosovës”, tha Kastrati.
Në “Final Four” të Ligës Unike janë kualifikuar edhe Peja e Prizreni-16, që do të përballen në gjysmëfinalen tjetër. Ndërkohë në plejofin e Superligës së Kosovës do të avancojnë gjashtë ekipe, ku dy të parat do të kualifikohen në gjysmëfinale, kurse në serinë çerekfinale do të luajnë skuadrat prej pozitës së tretë e deri në të gjashtë.