Sport

Trepça synon ta thellojë edhe më shumë krizën e Yllit

Basketbollisti Erjon Kastrati është i gatshëm për duelin me ish-ekipin e tij, Golden Eagle Yllin. Kastrati me ekipin nga Suhareka i fitoi dy titujt e fundit të kampionit.

Njëri prej lojtarëve më të mirë kosovarë para fillimit të këtij edicioni iu bashkua Trepçës, ekip të cilin e mposhti në serinë finale të plejofit, me trepikëshin e shënuar në sekondat e fundit në duelin e katërt që u luajt në palestrën “Minatori”.

Tani Kastrati do të përpiqet ta ndihmojë Trepçën drejt fitores ndaj Yllit, në ndeshjen derbi të xhiros së gjashtë të Superligës së Kosovës në basketboll. Duel Trepça-Ylli zhvillohet të dielën prej orës 17:00.

Kastrati i mungoi Trepçës të mërkurën mbrëma në fitoren ndaj Sigal Prishtinës (80:75) në ndeshjen e mbetur e xhiros së tretë. Mungoi shkaku i lëndimit të cilin e pësoi vikendin e shkuar në humbjen ndaj Pejës. Megjithatë, Kastrati është rikuperuar plotësisht dhe thotë se synimi i Trepçës është të vazhdojë të mbetet e pamposhtur këtë edicion në Superligë në ndeshjet në palestrën e saj të stërmbushur me tifozë. Trepça aktualisht është e dyta me nëntë pikë, një më pak se Peja që ende nuk di për humbje. Ndërsa, Ylli ka vetëm gjashtë pikë dhe renditet i parafundit. Ka vetëm një fitore karshi katër humbjeve.

Trepça dhe Ylli janë përballur tashmë këtë edicion, në kuadër të turneut të Superkupës Mbarëkombëtare, në të cilin triumfoi ekipi mitrovicas.

Përkundër formës së dobët të Yllit, Kastrati thotë se Trepçën e pret një ndeshje tjetër e vështirë. Mirëpo ai beson se me brohoritjet e fuqishme të tifozëve nga tribunat, Trepça do të shënojë fitore.

“Edhe pse Ylli nuk e ka startin e dëshiruar këtë edicion, ne e kemi parasysh se ka një ekip të mirë që udhëhiqet nga një trajner i mirë. Ardhjet e reja i kanë dhënë Yllit stabilitet më shumë dhe gradualisht po ngrihet në lojë. Kështu që përsëri presim një ndeshje shumë të vështirë ndaj tyre sikurse në Superkupën Mbarëkombëtare”, është shprehur Kastrati të premten për KOHËN. “Megjithatë, në synojmë fitore para tifozëve tanë, të cilët lirisht mund të them se janë lojtari ynë i gjashtë kur luajmë në Mitrovicë”.

Skuadra e Trepçës do të jetë pa Mikaile Tmushiqin për këtë ndeshje. Në fakt, Tmushiq pritet t’i mungojë Trepçës për një periudhë më të gjatë. Ai të premten e ka kryer me sukses operimin pas lëndimit që e pësoi në duelin ndaj Prishtinës.

Tmushiq iu pat bashkuar Trepçës së bashku me Kastratin si përforcime të mëdha dhe të rëndësishme vendore për këtë edicion. Edhe Tmushiq kishte kaluar nga Ylli. Në mungesë të Tmushiqit, Trepça ka reaguar menjëherë duke e kthyer në ekip amerikanin Ken Brown. Brown ishte pjesë e Trepçës para tetë vjetësh.

Edhe Ylli ka luajtur të mërkurën mbrëma sikurse Trepça, por jo në kuadër të Superligës. Debutoi në fazën e grupeve të FIBA Europe Cup dhe pësoi humbje të thellë në duelin e Grupit A. U mposht nga Hapoel Galil Elioni (93:76) në Prizren. Për Yllin kjo ishte disfata e shtatë këtë edicion në të gjitha ndeshjet që i ka luajtur, përfshirë edhe atë të fazës kualifikuese në Ligën e Kampionëve. Këto rezultate të ekipit nga Suhareka i ka parasysh fundori Valon Bunjaku, i cili insiston se momenti i duhur për t’u kthyer te fitorja është derbi ndaj Trepçës.

Bunjaku ka thënë për KOHËN se Ylli urgjentisht ka nevojë për fitore në Mitrovicë për ta filluar ngjitjen në tabelë pas startit të dobët.

“Shkojmë për fitore, pasi gjendja në të cilin jemi në Kampionat nuk na lejon të mendojmë diçka tjetër. Duhet patjetër të futemi në serinë e fitoreve dhe do ta bëjmë të pamundurën për ta mposhtur Trepçën, ndonëse nuk do të jetë lehtë sepse ka ekip të mirë. Kemi nevojë për ngritje në tabelë shpejt dhe besoj se kjo do të fillojë prej kësaj xhiroje”, tha Bunjaku.

Të dielën prej orës 19:00 zhvillohet edhe një ndeshje tjetër interesante.

Bashkimi synon t’ia shkaktojë Pejës humbjen e parë, kur e pret në palestrën “Sezai Surroi” në Prizren. Te Bashkimi në këtë ndeshje do të debutojë fundori Dajaun Graf, i cili tashmë është bashkuar me ekipin. Graf sezonin e shkuar ishte pjesë e Yllit.

Xhiroja e gjashtë do të startojë të shtunën me dy ndeshje. Prej orës 17:00 skuadra e Rahovecit, që është në seri prej katër humbjeve rresht, e pret Sigal Prishtinën. Ndërsa Ponte Prizreni kërkon në shtëpi fitoren e katërt radhazi kundër Vëllaznimit, ekip që e ka fituar vetëm një duel këtë edicion. Ky takim nisë në ora 19:00.

Superliga – 6

E shtunë

Rahoveci – S. Prishtina (17:00)

P. Prizreni – Vëllaznimi (19:00)

E diel

Trepça – G.E. Ylli (17:00)

Bashkimi – Peja (19:00)

1. Peja 5 10

2. Trepça 5 9

3. S. Prishtina 5 8

4. P. Prizreni 5 8

5. Bashkimi 5 7

6. Rahoveci 5 6

7. G.E. Ylli 5 6

8. Vëllaznimi 5 6