Kampioni në fuqi, Golden Eagle Ylli, e ka fituar ndeshjen e fundit në kuadër të pjesës së rregullt të edicionit në Superligën e Kosovës në basketboll.
Të dielën në kuadër të xhiros së 28-të, Ylli e mposhti Bashkimin e Prizrenit me rezultat 87:77. Bashkimi ishte vendas, por ndeshja u luajt në Suharekë për shkak të renovimit të stërzgjatur të palestrës në Prizreni.
Ylli dominoi në çerekun e parë, ndërsa çereku i dytë i takoi prizrenasve. Në pjesën e dytë më shumë nga loja kishin suharekasit që fituan me dhjetë pikë dallim në fund. Rezultati nuk kishte ndonjë vlerë sa i takon renditjes përfundimtare.
Demetrit Morant u shqua te Ylli me dhjetë pikë e plot 20 kërcime. Henrik Shirko i kishte 28 pikë, katër kërcime e katër asistime.
Valon Bunjaku i shënoi 24 pikë, ndërsa i kishte edhe katër kërcime e pesë asistime.
Te Bashkimi, Daniel Lekndreaj shkëlqeu me 31 pikë e 14 kërcime. Prentiss Nixon i kishte 15 pikë e shtatë kërcime.
Ylli në plejof starton prej pozitës së tretë dhe në çerekfinale do të përballet me Vëllaznimin. Ndërkohë Bashkimi ka përfunduar i pesti dhe në çerekfinale të plejofit ka përbllë Trepçën.