Sport

Ylli fiton derbin për pozitën e tretë

Golden Eagle Ylli e ka fituar derbin ndaj Sigal Prishtinës, që ishte i vlefshëm për pozitën e tretë në Superligën e Kosovës në basketboll.

Të dielën mbrëma në Suharekë, Ylli fitoi me rezultatin 103:95. Por ndeshja e dy skuadrave që pretendojnë titullin është vendosur vetëm pas vazhdimit prej pesë minutave.

43 sekonda para fundit, Ylli kaloi në epërsi 85:82. Më pas kroati i Prishtinës, Henrik Shirko realizoi për tri pikë, përkatësisht për të barazuar rezultatin në 85:85, 38 sekonda para fundit. Ylli humbi sulmin pasues, ndërsa Prishtina kishte aksionin përfundimtar.

Derrick Wilson priti deri në sekondën e fundit. Depërtoi, por u bllokua nga Nate Grimes. Kështu rezultati mbeti 85:85 dhe ndeshja u vendos në vazhdimin prej pesë minutave.

Në kohën shtesë u dallua Jan Palokaj që realizoi tri treshe për fitoren 103:95 të vendasve.

Ylli tani i ka 39 pikë në pozitën e tretë. Prishtina mbetet e katërta me 38 pikë. Ndeshja e së dielës ishte njëri prej dy derbive të xhiros së 24-t. Të shtunën, Trepça e mposhti Pejën. Trepça udhëheq në tabelë me 46 pikë dhe ka siguruar pozitën e parë. Peja është e dyta me 41 pikë.

Grimes ishte më i miri tek Ylli me 21 pikë e 13 kërcime. Alonzo Verge Jr ndeshjen e përfundoi me 37 pikë, tetë asistime e pesë kërcime. Jan Palokaj kontribuoi me 21 pikë, tri kërcime e tri asistime.

Te Prishtina, Diamond Stone i kishte 29 pikë, nëntë kërcime e pesë asistime, por edhe gjashtë topa të humbur. Shaheed Davis i realizoi 17 pikë. Malcolm Armstead i kishte 13 pikë e pesë asistime, ndërsa Derrick Wilson ndeshjen e mbylli me tetë pikë, tetë kërcime e katër asistime.

Deri në fund të stinorit të rregullt në Superligën e Kosovës në basketboll kanë mbetur edhe katër xhiro.