Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Yjet e Cityt që pritet të largohen pas dënimit të klubit nga UEFA

Foto: Reuters

Yjet e Manchester Cityt janë mjaftueshëm profesionistë për t’u përqendruar të fitojnë tre trofe, përfshirë Ligën e Kampionëve, deri në fund të stinorit.

Por, do të jetë naive të mendohet se nuk do të ketë pasoja përtej verës, nëse klubit i konfirmohet suspendimi dyvjeçar nga Liga e Kampionëve, ka shkruar Daily Mail, transmeton Koha.net.

Lojtarët si Raheem Sterling, Kevin De Bruyne e Leroy Sane do të kërkohen nga klubet më të mëdha evropiane, të cilat do të jenë në gjendje t’u ofrojnë atyre futboll në garën elitare të klubeve.

Mund të ketë reduktime në bonuse për lojtarët e Cityt pa futboll evropian dhe pa të hyra nga Liga e Kampionëve duhet të ketë një reduktim të përshtatshëm në buxhetin total të pagave te City, për të qëndruar në vijë me rregullin e Fer Plejit Financiar (FFP) të UEFA-s.

Sigurisht se rasti është ende në zhvillim, ku City ka insistuar se do të apelojë në Gjykatën e Arbitrazhit për Sport (CAS) për të anuluar vendimin e UEFA-s. Por, nëse ndodh më e keqja dhe Cityt i konfirmohet përjashtimi nga Liga e Kampionëve, atëherë klubi kampion i Anglisë rrezikon të humbasë disa nga talentet më të mëdhenj.

Sportsmail ka identifikuar emrat që mund të largohen nga City nëse konfirmohet dënimi i UEFA-s.

Kevin De Bruyne

Edhe De Bryne mund të bëhet bashkëlojtar me Messin Futboll De Bryne mund të bëhet bashkëlojtar me Messin

Një mesfushor i klasit botëror, Kevin De Bruyne do të kishte hapur dyert gati te gjitha klubet e mëdha, nëse shpreh dëshirën të largohet nga City.

Belgu ka pagë 335 mijë euro në javë, ndërsa në kontratë ka bonus prej 1.8 milionë euro për kualifikim në Ligën e Kampionëve dhe 1.2 milionë euro nëse e fiton garën. Kjo nënkupton se suspendimi i Cityt mund t’i kushtojë atij potencialisht deri në gjashtë milionë euro brenda dy viteve.

Nëse Manchester Cityt do t’i duhet të mbledhë para për të qëndruar në vijë me FFP-në, atëherë mund të fitojë deri në 155 milionë euro nga shitja e De Bruynes, jo keq për një 28-vjeçar.

Juergen Klopp kishte menduar të transferonte De Bruynen, kur ai ishte në postin e trajnerit të Borussia Dortmundit. Por, kalimi i De Bruynes te Liverpooli, të cilin klub e drejton tash Klopp, do të ishte ndëshkimi përfundimtar i Cityt.

Edhe Real Madridi e Barcelona kanë shprehur interesim për yllin belg.

Nuk ka dyshim se De Bruyne pëlqen jetën te City, por ai është jashtëzakonisht ambicioz dhe humbja e rastit për të luajtur në Champions, do t’i shkaktojë atij një dilemë të madhe.

Raheem Sterling

Sulmuesi anglez Raheem Sterling ka folur më herët për interesimin e tij që të luan jashtë Anglisë. Kështu që është e natyrshme të hamendësohet nëse ky është momenti i duhur për të që të provojë veten në La Liga apo Serie A.

Sterling, që ka pagë rreth 360 mijë euro në javë, është duke u kërkuar nga Real Madridi. Madje Real Madridi gjatë ka shprehur interesim për të, por City ka arritur të mbajë deri më tash yllin anglez, fal kombinimeve të kontratave të reja dhe mundësinë që ai të punonte me trajnerin Pep Guardiola.

Mirëpo, në moshën 25-vjeçare, Sterling është në kulm të formës dhe etika e tij e punës është më e madhe se e çdo lojtari tjetër që kategorizohet si klas botërore.

Agjenti i tij ka thënë se asgjë nuk do të shpërqëndrojë Sterlingun që të tentojë të udhëheq Cityn drejt titujve këtë stinor. Sterling është duke u përgatitur për ndeshjen me Real Madridin në 1/8 e finales të Ligës së Kampionëve.

Leroy Sane

Trajneri i Cityt, Pep Guardiola ka pranuar se e ka të vështirë të bind sulmuesin anësor të Gjermanisë, Leroy Sane që të firmosë kontratë të re. Ndonëse Guardiola insiston se dëshiron të mbajë yllin gjerman në skuadër.

Është situatë e çuditshme, pasi Sane ka humbur gjithë stinorin deri më tash shkaku i një lëndimi të ligamenteve të gjurit që mori në ndeshjen e Superkupës së Anglisë, ndonëse është kthyer në stërvitje.

Sane 24-vjeçar ka kontratë me Cityn deri në verën e vitit 2021 dhe Bayern Muencheni, që pëlqen të ketë gjithë lojtarët më të mirë të Gjermanisë, kishte bërë një ofertë rreth 85 milionë euro për të verën e kaluar.

Sane po i afrohet viteve kulmore të karrierës dhe pasi ka munguar gjithë stinorin deri më tash, ai nuk do të dëshironte të qëndronte në periudhë afatgjate te City nëse nuk e ka mundësinë të luajë në Ligën e Kampionëve.

Edhe City i cakton çmimin De Bruynet Sport City i cakton çmimin De Bruynet

Aymeric Laporte

Ai llogaritet në mesin e qendërmbrojtësve më të mirë në Premier League. Reputacioni i tij vetëm sa është rritur duke marrë parasysh problemet defensive që ka pasur City gjatë mungesës afatgjate të tij për shkak të lëndimit të gjurit.

Është një nga misteret më të mëdha të futbollit që Laporte 25-vjeçar ende nuk ka luajtur për Francën dhe ai mund të ndjejë se një ndryshim do të ndihmonte këtë situatë, nëse City nuk do të jetë në Ligën e Kampionëve.

Chelsea ka kërkuar gjatë Laporten dhe Barcelona po ashtu ka qenë adhuruese e Laportes që kur ai me Athletic Bilbaon e shkatërroi Barçën në Superkupën e Spanjës të vitit 2016.

Laporte ka kontratë me Cityn deri në verën e vitit 2025, ndërsa paga e tij është rreth 145 mijë funte në javë.

City është në pozitë të mirë për të mbajtur Laporten. Por, mund të vendos të shes atë nëse vjen një ofertë rekorde.

Gabriel Jesus

Sulmuesi brazilian Gabriel Jesus ka përqafuar jetën e tij në Manchester dhe ka bërë angazhim të madh për të mësuar dhe për të dhënë intervista në gjuhën angleze, ndryshe nga bashkëlojtarët e tij te City.

Mirëpo, pamundësia të luajë në Ligën e Kampionëve do të ishte katastrofë për 22-vjeçarin që ka presion të madh nga Roberto Firmino dhe brazilianët tjerë nëpër Evropë për të qenë qendërsulmuesi kryesor i përfaqësueses së Brazilit.

Pep Guardiola gjithmonë bënë rotacion mes tij dhe Sergio Agueros dhe me më pak ndeshje për shkak të ndalesës së pjesëmarrjes në Evropë, atëherë do të ketë më pak minutazhë për Jesusin.

Aguero ende është numër një te City sa i përket sulmit dhe do të ketë një stinor të fundit te City para se të mbyllë karrierën në Amerikë të Jugut.

Klubet e mëdha si Interi po përcjellin situatën e Jesusit në rast se ai vendos të largohet nga City.

Edhe Sterlingu do të largohet nga City Sport Sterlingu do të largohet nga City

Për një lojtar të ri, ai ka bërë jashtëzakonisht mirë në adaptimin në Angli. Ndonëse po e ka të vështirë të adaptohet me kushtet klimatike në këtë vend.

“Është e vështirë të adaptohesh me të ftohtin, por do ta gjej ndonjë mënyrë”, kishte thënë Jesus më herët.