Përzgjedhësi i Zvicrës, Murat Yakin, të premten ka publikuar listën prej 25 futbollistëve për miqësoret e javës së ardhshme, ndërsa ka vlerësuar lart dy kundërshtarët e “helvetikëve”.
Zvicra më 26 mars përballet në stadiumin “Wembley” me Anglinë, ndërsa tri ditë më vonë e pret Kosovën në Zuerich. Si Anglinë ashtu edhe Kosovën, Yakin i ka quajtur kundërshtarë atraktivë dhe është i bindur se tribunat do të jenë të stërmbushura me tifozë, pasi do të shiten të gjitha biletat. Në listën e Yakinit për këto ndeshje janë përfshirë edhe tre futbollistë me prejardhje nga Kosova – Granit Xhaka, Xherdan Shaqiri e Andi Zeqiri.
“Ne duam të përdorim çdo ditë, çdo seancë stërvitore dhe gjithashtu dy ndeshjet e këtij muaji për të vazhduar të rritemi së bashku. Duam të shkojmë në Kampionatin Botëror në nëntor si një njësi e bashkuar dhe me shumë vetëbesim”, insistoi Yakin, raporton faqja zyrtare e Federatës së Zvicrës. “Ne i luajmë dy ndeshje me kundërshtarë shumë atraktivë dhe, sipas të gjitha gjasave, me të gjitha biletat e shitura dhe tribunat e mbushura”.
Mbi të gjitha, Yakin ka thënë se e pret me padurim duelin me Kosovën. Këtë ndeshje Yakin e ka quajtur të veçantë. Ai ka thënë se përballja me Kosovën pret të jetë miqësore edhe në tribuna, jo vetëm në fushë.
“Shumë nga të përfshirët në listë kanë një marrëdhënie të veçantë me vendin tjetër. Ne kemi lojtarë me rrënjë në Kosovë, Kosova ka lojtarë që janë rritur në Zvicër dhe janë stërvitur këtu. Përveç rëndësisë sportive, loja kundër Kosovës duhet të jetë edhe lojë miqësie – në tribuna dhe në fushë”, u shpreh Yakin.
E në ndeshjen me Kosovën, por edhe atë me Anglinë, kapiten i Zvicrës do të jetë mesfushori i Arsenalit, Granit Xhaka. Xhaka, që i mungoi Zvicrës në gjashtë ndeshjet e fundit për kualifikimet e Kampionatit Botëror “Katari 2022”, është rikthyer në ekip për ndeshjet e këtij muaji. Për Xhakën, miqësorja me Kosovën do të jetë e veçantë edhe për faktin se ai do ta regjistrojë paraqitjen e tij julibare, të 100-tën, me fanellën e Zvicrës. 29-vjeçari debutoi në vitin 2011 te Zvicra dhe ka shënuar 12 gola në 98 ndeshje. Përzgjedhësi Yakin ka bërë të ditur se në këto ndeshje kapiten i Zvicrës do të jetë Xhaka. Në mungesë të Xhakës shiritin e kapitenit te Zvicra e ka bartur Xherdan Shaqiri. “E kam vizituar Xhakën javën e shkuar në Londër dhe ishim në darkë së bashku. Është shumë e rëndësishme që patëm një bisedë të afërt. Në formën që është aktualisht, ai do të jetë shumë i rëndësishëm për ekipin tonë në këto dy ndeshje”, ka thënë Yakin. “Do ta adresojmë çështjen e kapitenit sërish në detaje, por nuk do të ketë ndryshime në këtë aspekt”.
Edhe
Zvicra me katër shqiptarë në Kosovë
Yakin ka folur edhe për Shaqirin, i cili u transferua në MLS te skuadra Chicago Fire. Shaqiri muajin e shkuar iu bashkua ekipit amerikan nga Lyoni. Me Chicagon, Shaqiri firmosi kontratë deri në fund të vitit 2023, kurse deri më tani ka tri paraqitje kampionale.
“Shaqiri i pati ndeshjet e tij si kapiten, e mori përgjegjësinë dhe ishte i mirë. Por, nuk është kjo e rëndësishme për shkak se dua që të gjithë lojtarët të kenë përgjegjësi”, shtoi Yakin. “Kalimin e tij në MLS e shoh si shumë pozitiv. Shaqiri ka luajtur në ekipe të mëdha, por kurrë nuk e kishte ritmin. Tani në Chicago po luan me pasion dhe ka marrë përgjegjësi”.
Pesë ditë para ndeshjes me Zvicrën, Përfaqësuesja e Kosovës në stadiumin “Fadil Vokrri”, në Prishtinë, do të luajë miqësoren kundër Burkina Fasos.