Mesfushori i Arsenalit, Granit Xhaka që i mungoi Zvicrës në gjashtë ndeshjet e fundit për kualifikimet e Kampionatit Botëror “Katari 2022” është rikthyer në ekip për ndeshjet miqësore të këtij muaji. Përzgjedhësi i Zvicrës, Murat Yakin të premten ka publikuar listën prej 25 lojtarëve, në të cilën krahas Xhakës, e ka ftuar edhe Xherdan Shaqirin e Andi Zeqirin.
Zvicra më 26 mars do të luajë në Londër ndaj Anglisë, ndërsa tri ditë më vonë do të përballet me Kosovën në Zuerich. Përzgjedhësi Yakin ka bërë të ditur se në këto ndeshje, kapiten i Zvicrës do të jetë Xhaka. Në mungesë të Xhakës, shiritin e kapitenit te Zvicra e ka bartur Xherdan Shaqiri.
“E kam vizituar Xhakën javën e shkuar në Londër dhe ishim në darkë së bashku. Është shumë e rëndësishme që patëm një bisedë të afërt. Në formën që është aktualisht, ai do të jetë shumë i rëndësishëm për ekipin tonë në këto dy ndeshje”, ka thënë Yakin.
“Do ta adresojmë çështjen e kapitenit sërish në detaje, por nuk do të ketë ndryshime në këtë aspekt”.
Yakin ka folur edhe për Shaqirin, i cili u transferua në MLS te skuadra Chicago Fire.
Edhe
Yakini pret që dueli me Kosovën të jetë miqësor edhe në tribuna
“Shaqiri i pati ndeshjet e tij si kapiten, e mori përgjegjësinë dhe ishte i mirë. Por, nuk është kjo e rëndësishme për shkak se dua që të gjithë lojtarët të kenë përgjegjësi”, shtoi Yakin.
“Kalimin e tij në MLS e shoh si shumë pozitiv. Shaqiri ka luajtur në ekipe të mëdha por kurrë nuk e kishte ritmin. Tani, ne Chicago po luan me pasion dhe ka marrë përgjegjësi”.