Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Xhaka e Shaqiri janë të gatshëm për miqësoret e veçanta të Zvicrës

Për Granit Xhakën dhe Xherdan Shaqirin ndeshjet miqësore që Zvicra i luan me Anglinë dhe Kosovën janë speciale. Pasi mungoi në duelet vendimtare të Zvicrës në kualifikimet e Kampionatit Botëror “Katari 2022”, Xhaka pritet të jetë lider i mesfushës së “helvetikëve” ndaj Anglisë e Kosovës.

Në fakt, Xhaka i ka munguar Zvicrës në tetë ndeshjet e fundit. Zvicra luan të shtunën ndaj Anglisë në stadiumin “Wembley” në Londër, ndërsa tri ditë më vonë e pret Kosovën në Zuerich. Përderisa dueli me Anglinë do të jetë i veçantë për Xhakën, ai me Kosovën do të jetë emocional për 29-vjeçarin.

“Me Anglinë do të jetë një ndeshje speciale sepse po kthehem në stadiumin ku bëra debutimin tim ndërkombëtar. Po ashtu ka gjashtë vjet që jam pjesë e Arsenalit dhe njoh shumë lojtarë të Anglisë. Anglia ka një ekip të fortë, por sigurisht se ne duam ta fitojmë këtë ndeshje në një stadium që do të ketë atmosferë të zjarrtë”, ka thënë Xhaka për mediat zvicerane. “Jam kthyer pas një mungese të gjatë dhe tani jam gati për të luajtur. Më kujtohet ndeshja e parë shumë mirë, pasi kisha shumë emocione dhe isha tejet i nervozuar”.

Kundër Kosovës, Xhaka do ta bëjë paraqitjen jubilare te Zvicra, të 100-tën. Dhe për këtë arsye mesfushori i Arsenalit e quan emocionale përballjen me Kosovën. Për Xhakën kjo është një ëndërr e realizuar.

“Kjo bëhet shumë emocionuese. Jam tepër krenar që do të luaj ndeshjen e njëqindtë ndërkombëtare te Zvicra. Dhe është kundërshtari i përsosur për përvjetorin tim! E gjithë familja ime jeton në Kosovë. Duhet të jetë një ndeshje në udhëtim për ne në ‘Letzigrund’. Nëse do të kisha ftuar të gjithë ata që donin të vinin, do të më duhej të merrja me qira të gjithë stadiumin. Miqtë e mi më të ngushtë do të jenë me siguri atje. Do të kënaqem me lojën, në fakt i njoh të gjithë kundërshtarët. Sigurisht që do të jap gjithçka për të fituar edhe këtë ndeshje”, ka thënë Xhaka. “Nëse do të më duhej të shkruaja një libër për karrierën time, do të dukej pikërisht kështu. Jam shumë krenar për rrënjët e mia. Por jam gjithashtu shumë krenar që luaj për Zvicrën. Kjo ndeshje jubilare është një nder i madh për mua”.

Edhe Xhaka i gatshëm për dy miqësoret e Zvicrës Sport Xhaka i gatshëm për dy miqësoret e Zvicrës

Edhe Xherdan Shaqiri po i pret me padurim këto dy miqësore. Shaqiri nuk mund ta harrojë stadiumin “Wembley” në të cilin shënoi golin e parë për Zvicrën para gati dymbëdhjetë vjetësh. Në të njëjtin stadium, Shaqiri në vitin 2013 e ka fituar trofeun e Ligës së Kampionëve me Bayernin.

“Duhet ta dëshmojmë veten kundër Anglisë, të tregojmë lojën tonë dhe të përpiqemi t’i mposhtim vendasit. Do të jetë një ndeshje e fortë dhe e veçantë për të gjithë, si për lojtarët, ashtu edhe për tifozët”, është shprehur Shaqiri.

Ai pret që për dy ndeshjet të gjitha biletat të shiten. Sa i përket duelit me Kosovën, Shaqiri e pret me padurim dhe e quan “Lojë e Miqësisë”.

“Dy përfaqësueset kanë shumë të përbashkëta. Ne kemi lojtarë me rrënjë kosovare, por edhe shumë lojtarë të Kosovës kanë luajtur edhe në ekipet e reja të Zvicrës. Është një ndeshje miqësie për shkak se Zvicra dhe Kosova janë shumë të afërta, kanë miqësi. Do të jetë një ndeshje miqësore dhe e mirëseardhur për të gjithë”, është shprehur Shaqiri.

Si Xhaka, ashtu edhe Shaqiri kanë synimet e përbashkëta në Botërorin “Katari 2022”, që mbahet në fund të këtij viti. Madje, Xhaka pret që Zvicra të tregohet tejet e suksesshme në këtë ngjarje.

Edhe Yakini pret që dueli me Kosovën të jetë miqësor edhe në tribuna Sport Yakini pret që dueli me Kosovën të jetë miqësor edhe në tribuna

“Synimet e mia gjithmonë janë të njëjta. Do të shkoj në turne për të fituar. Kështu që e them qysh tani se dua të bëhem kampion bote. Për ta bërë këtë duhet të bëjmë edhe një hap përpara”, shtoi Xhaka.

Ndërkohë, Shaqiri shtoi: “Unë nuk dua të shihem më vonë si rekordmen i ekipit për paraqitje, por si lojtar që i ka sjellë momente të mira dhe speciale, si ekipit, ashtu edhe tifozëve”.