Blerim Xhemaili u kthye në Evropë pas aventurës prej tetë muajsh në Kinë ku nuk pati paraqitje.
Nënshkroi sërish me FC Zuerichun në fillim të këtij viti, dhe 34-vjeçari e ka një synim të madh.
Në intervistën dhënë për faqen zyrtare të klubit, Xhemaili ka thënë se e synon një tjetër titull.
“Gjatë karrierës time kam fituar nëntë tituj. Dëshira ime personale është që ta fitojë titullin e dhjetë me FC Zuerichun”, ka thënë Xhemaili.
Ai ka luajtur deri tani në katër ndeshje me skuadrën e elitës zvicerane, ndërsa ka përmirësim të madh në aspektin fizik.
“U jap lojtarëve të rinj këshilla të cilat i kam fituar në karrierën time të gjatë ndërkombëtare. Ua kujtoj atyre që duhet të punojnë shumë për të arritur hapa të mëdhenj në karrierë”, shtoi ai.
Xhemaili e ka fituar titullin e parë në moshën 17-vjeçare, pikërisht me skuadrën e FC Zuerichut. Ka bërë karrierë edhe jashtë Zvicrës me skuadra si Boltoni, Torino, Parma, Napoli, Galatasaray, Bologna e Montreal Impact.
“Koha e kaluar te Napoli ka qenë jashtëzakonisht e mirë. Kanë qenë tri vjet të mëdha në një klub me ambicie. Nga Shenzheni u largova për shkak të pandemisë dhe ndryshimit të trajnerit, dhe nuk luajta asnjë ndeshje garuese. Jam ndjerë mirë në Kinë, por doja rikthimin në Zvicër. Dallimet kulturore janë të mëdha dhe për shkak të koronavirusit ndihesha i vetmuar sepse nuk e kam parë familjen apo shoqërinë për tetë muaj. Për këtë arsye u ktheva në shtëpi”, përfundoi Xhemaili.
Takimin e radhës, skuadra e FC Zuerichut e luan kundër FC Baselit. Xhemaili në katër ndeshje sivjet i ka edhe dy asistime.