Te skuadra e Bayer Leverkusenit presin shumë nga Granit Xhaka në edicionin 2023/24 në Bundesligë, i cili nis të premten. Madje, mesfushori kosovar po vlerësohet si lider i Leverkuseni, ekip që ndeshjen e parë e luan në shtëpi kundër Leverkusenit. Xhaka iu bashkua Leverkusenit muajin e shkuar dhe po konsiderohet si transferimi më i madh i ekipit në këtë afat kalimtar. Ai u transferua nga Arsenali për 20 milionë euro dhe me ekipin gjerman firmosi kontratë deri në vitin 2028. Edhe trajneri i Leverkusenit, Xabi Alonso pret shumë nga Xhaka, të cilin e krahason me veten kur ishte lojtar aktiv. Alonso ka një karrierë të pasur si futbollist pasi ka luajtur për Liverpoolin, Real Madridin e Bayern Munichun. Po ashtu, Alonso ka luajtur në pozitën e njëjtë sikurse Xhaka, atë të mesfushorit qendror.
“Graniti është një lojtar fantastik dhe një lider në fushë. Do të jetë ndihmë e madhe për ekipin tonë në edicionin e ri. Sigurisht, që të gjithë presim shumë nga ai duke pasur parasysh përvojën dhe paraqitjet që i kishte me fanellën e Arsenalit”, ka thënë Alonso për “Bild”.
Mbi të gjitha, Alonso ka pranuar se Xhakën e sheh në të ardhmen si një trajner të suksesshëm. Sipas tij, Xhaka tashmë veçse mendon si trajner dhe për këtë arsye, nuk do të habitet aspak me të arriturat e 30-vjeçarit edhe në zejen e trajnerit.
“Mund ta shoh në sytë e tij se ai gjithmonë dëshiron të mësoj. E kjo me ka ndodhur saktësisht mua në fazën e fundit të karrierës sime si lojtar aktiv. Ai dëshiron të bëhet trajner dhe kjo shihet haptazi. Besoj se do të jetë një trajner i madh”, ka shtuar Alonso.
Në fakt, Xhaka ka kohë që ka filluar t’i ndjekë kurset për trajner dhe të pajiset me licencat e duhura që pasi të përshëndetet nga loja aktive, të filloj një kapitull të ri në jetën e tij. Vetë Xhaka ka pranuar se është shumë i interesuar në zejen e trajnerit dhe tashmë ka biseduar me drejtuesit e Leverkusenit për të parë mundësinë e stërvitjes së ndonjë ekipi të të rinjve.
Edhe
Xhaka i kaloi pritshmëritë, u bë zemra e ekipit të Alonsos
“Tashmë kam biseduar me Leverkusenin nëse ka ndonjë ekip ku mund të stërviti me gjeneratën U18 apo U19. Do të isha më shumë se i gëzuar nëse do të më ofrohej një mundësi e tillë. Gjatë karrierës sime kam pasur trajnerë të ndryshëm, përfshirë edhe me përfaqësuese, prej të cilëve kam qenë në gjendje të mësoj shumë gjëra”, është shprehur Xhaka. “Natyrisht, që unë dua të bëjë sistemin dhe lojën time por gjithashtu të marrë diçka edhe prej secilit trajner. Jam krenar që mund ta bëjë hapin e ardhshëm duke u pajisur me licencën A të trajnerit”.
Xhaka si futbollist është zhvilluar në akademinë e Baselit, ndërsa më ekipin e parë ka debutuar në vitin 2010. Pas Baselit, Xhaka karrierën e ka vazhduar te Borussia Moenchengladbachu dhe Arsenali, përpara se ti bashkohet Leverkusenit. Ai ka edhe 115 paraqitje me Përfaqësuesen e Zvicrës dhe 13 gola të shënuara, ndërsa e bart edhe shiritin e kapitenit. Xhaka, gjithashtu ka luajtur edhe për gjeneratat U17, U18, U19 dhe U21 të Zvicrës. Me ekipin A ka debutuar në qershor të vitit 2011.