Deontay Wilder ka ende plane të mëdha dhe një dorë të djathtë të fortë, ashtu si kur ishte kampion i kategorisë së rëndë të boksit profesionist. Ai dëshiron të jetë sërish kampion, megjithëse nuk ka shumë kohë. Wilder mbush 37 vjet javën e ardhshme dhe tha se synon të boksojë vetëm deri në moshën 40-vjeçare.
“Unë dua të qëndrojë në këtë biznes vetëm edhe tri vjet”, tha Wilder. “Dhe jam gati të luftoj me më të mirin. Jam i gatshëm, i aftë për të bërë gjithçka që duhet për t'u kthyer në majë”.
Ngjitja e Wilderit fillon të shtunën kur ai kthehet nga humbjet e njëpasnjëshme ndaj Tyson Furyt për të luftuar me Robert Heleniusin në Barclays Center të Brooklyn.
Nëse Wilder (42-2-1, 41 KO) fiton, një tjetër meç për titull mund të vijë shpejt. Fuqia e frikshme që ai shfaqi gjatë mbretërimit pesëvjeçar si kampion i versionit WBC - madje edhe gjatë humbjes së dytë me Furyn - e bën gjithmonë një luftëtar që ia vlen të shikohet.
“Kur jam në ring ose kur jam në një luftë, ju e dini që i mbaj njerëzit në emocione sepse nuk dihet se çfarë do të ndodhë dhe nokauti mund të vijë nga çasti në çast”, tha Wilder. “Por kur të ndodhë, atëherë kundërshtarit mund t’i them menjëherë natën e mirë”.
Kjo nuk i ka ndodhur Wilderit për gati tre vjet. Fury ia mori titullin në meçin në shkurt të vitit 2020, ndërsa britaniku u ngrit nga dy nokaute për ta mposhtur Wilderin në rundin e 11-të të meçit të tyre të tretë një vit më parë.
Një fitore ndaj Helenius (31-3, 20 KO), jo vetëm që do të ishte e para për Wilderin qëkur e ndali Luis Ortizin në nëntor të vitit 2019, por mund ta vendosë atë në garë për t'u përballur me kampionin e tri versioneve, Oleksandr Usyk. Megjithatë, ai nuk duket i motivuar nga titujt, pasi e ka mbrojtur 10 herë.
"Kjo fazë e karrierës sime është për t’u argëtuar”, tha Wilder. “Jam zhytur në lumturinë dhe paqen time dhe gjithçka ka të bëjë me argëtimin”.
Një titull do të ishte një punë e madhe për Heleniusin, luftëtarin finlandez, i cili dukej si një shtegtar për pjesën më të madhe të karrierës, përpara dy fitoreve me nokaut ndaj Adam Kownackit.
“Unë kam qenë duke luftuar për të arritur këtu për një kohë të gjatë dhe kam bërë gjithçka në forcën time për ta fituar këtë luftë. Kështu që unë do të jem më i miri”, tha Helenius.
Të dy kanë bërë një sparing më parë dhe janë miq, duke e lënë këtë meç pa fjalët e ashpra që Wilder thoshte zakonisht përpara dueleve të fundit. Ndoshta Wilder është përulur nga disfatat e tij dhe nuk mburret më aq sa godet. Apo është në fund të një karriere që i ka siguruar atij një pasuri dhe një statujë në shtëpinë në Alabama.
“Zjarri im është ende i ndezur, mund ta them këtë”, tha Wilder. “Kam qenë kaq i suksesshëm në këtë biznes, veçanërisht financiarisht, ku nuk kam më nevojë për këtë. Por, këtë meç dua ta fitoj për t’u ngjitur përpara se të tërhiqem tërësisht”.
Ai i ka përfunduar të katër meçet në Brooklyn me nokaut dhe pritet të fitojë të shtunën, megjithëse Helenius fitoi në Barclays Center në luftën e parë kundër Kownackit.
“Unë nuk do të isha këtu nëse nuk do të besoja në veten time”, tha Helenius.
Wilder po përpiqet të mos shikojë pas këtij meçi, megjithëse e di se emra të mëdhenj janë përpara nëse fiton. Ndoshta është Usyk ose ish-kampioni Andy Ruiz, ose ndoshta edhe një luftë me Anthony Joshuan, të cilën Wilder tha se do të dëshironte ta organizonte në Afrikë.
“Ne do të shohim se çfarë do të ndodhë. Unë jam kthyer”, tha amerikani Wilder.