Pas interesimit të madh nga skuadrat tjera për shërbimet e Declan Ricet, ka reaguar West Ham Unitedi që ka ngritur çmimin për lirimin e mesfushorit.
“Sky Sports” ka njoftuar të mërkurën se West Hami po kërkon tani 170 milionë euro për ta lënë të lirë Ricen në fund të këtij edicioni. Me çmimin e caktuar, Rice do të jetë futbollisti më i shtrenjtë në Premier League nëse një ekip synon ta transferojë për sezonin e ardhshëm.
Rice është njëri prej lojtarëve më të rëndësishëm të West Hamit, por po kërkohet me ngulm nga Manchester Unitedi e Manchester City.
23-vjeçari është njëri prej mesfushorëve më të vlerësuar në Angli, ndërsa me West Hamin ka kontratë deri në vitin 2024, me mundësi vazhdimi edhe për një vit tjetër.
Këtë sezon, reprezentuesi i Anglisë ka katër gola e po aq asistime në 38 ndeshje për West Hamin në të gjitha garat.