Shkëlqimi i kosovarit Milot Rashica te Werder Bremeni në Gjermani është shënuar edhe nga mediumi prestigjioz “Washington Post”.
22-vjeçari të mërkurën shënoi një tjetër gol për Werderin, për t’ia lehtësuar kualifikimin në gjysmëfinale të Kupës së Gjermanisë. Ai realizoi supergol nga distanca në fitoren 2 me 0 ndaj Schalkes.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Ai ka bërë hap gjigant përpara. Tani ka më shumë vetëbesim dhe thjeshtë mund të bëjë gjuajtje të tilla”, ka thënë pas takimit trajneri i Rashicës te Werderi, Florian Kohfeldt.
Ky ishte goli i pestë i Rashicës në katër ndeshjet e fundit në të gjitha garat. Rashica po kombinohet në mënyrë të përsosur me kapitenin e Bremenit, Max Kruse, performancat e të cilit kanë shpirë në thirrjen e përzgjedhësit të Gjermanisë, Joachim Loew.
Werderi është pa humbje në 12 ndeshje më 2019 dhe është rrugës për kualifikim në Evropë pasi tash zë pozitën e gjashtë në Bundesligë.
Kohfeldt u shpall trajneri i vitit në Gjermani më 2018 pas përmirësimit që pati Bremeni.
Rashica, që iu bashkua gjermanëve nga Vittesse në janar të vitit 2018 për 7.5 milionë euro, ka përfituar nga udhëheqja e Kohfeldtit, shkruan ky medium, transmeton Koha.net.
Rashica ka pasur 19 paraqitje në ligë këtë sezon, por shumicën i ka marrë nga janari. Shtatë nga tetë golat e tij në ligë erdhën më 2019.
Trajneri i Werderit s’është frikësuar të kërkojë më shumë nga kosovari. Ai i kishte kërkuar Rashicës të punonte më shumë në përgjegjësitë defensive dhe nxori lojtarin në mes të pjesëve pas performancës së dobët ndaj Nurembergut. Tre ditë më pas, Kohfeldt i dha Rashicës shansin që të startojë në Kupën e Gjermanisë ndaj Dortmundit. Ai realizoi në fitoren 4 me 2 dhe më pas shënoi dy herë në ndeshjen e ardhshme ndaj Augsburgut para se të largohej për shkak të lëndimit.
Nga ajo kohë, Rashica është bërë pjesë e pandashme e formacionit të parë.
“Me topin, ai mund të bëjë gjithçka që ju duhet për të fituar ndeshjet. Miloti ka gjuajtje brilante, qoftë nga distanca apo afërsia. Këmba e tij e djathtë është armë e rrezikshme. Mbi të gjitha, ka një shtat të shkurtër që e bën vështirë ta ndalësh kur vrapon me topin, dhe në top-shpejtësi në fushë”, ka thënë Kohfeldt.
“Miloti mund të bëjë dallimin në çdo kohë me një aksion individual. Ky është aset i çmueshëm. Shumë rrallë mund të gjesh lojtarë të tillë”.
“WashingtonPost” më tej shkruan se Rashica ka pasur vetëm dy paraqitje për kombëtaren e Shqipërisë para se të kalonte te Kosova më 2016. Po ashtu theksohet se ai te Vitesse kaloi nga Vushtrria më 2015. Pas dy sezonesh e gjysmë në Holandë, ai kishte thënë se e ka pasur të vështirë të përshtatet në Bundesligë.
“Ka dallim të madh”, Rashica kishte thënë për faqen e Werderit. “M’u desh kohë të kthehesha në formë fizike dhe të mësohesha me stilin e lojës dhe bashkëlojtarët e mi”.
Rashica nga bashkëlojtarët ka marrë nofkën “Raketa” pas performancave të jashtëzakonshme sivjet.
Ylli kosovar ka lavdëruar edhe këshillat e veteranëve Martin Harnik e Claudio Pizarro për formën e tij të fundit.