Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Walker i Lincolnit beson në kualifikim

Liam Walker beson se Lincoln Red Impsi mund ta përmbysë rezultatin e kampionit të Kosovës, Ballkanit, dhe të kalojë në plejofin e Ligës së Konferencës.

Ballkani të enjten e kaluar në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë fitoi me rezultatin 2:0, me golat e bukur të Meriton Korenicës dhe Lorenc Trashit.

Por, Walker beson se skuadra është gati për të bërë mrekullinë.

“Besoj se paraqitja ekipore në ndeshjen e parë ishte e mirë. Kemi krijuar disa shanse të mira dhe është dashur të shënonim gol. Mendoj se duhej të bënim më mirë në golat që i shënoi Ballkani, por padyshim se të enjten mbrëma do të jemi të gatshëm të japim një paraqitje të madhe dhe ta kthejmë rezultatin në të mirën tonë”, ka thënë fillimisht Walker, që luan si mesfushor te skuadra nga Gjibraltari.

“Djemtë mezi presin për nisjen e ndeshjes dhe qëkur jemi kthyer nga Kosova, kemi punuar fort. Kemi pasur javë të mirë në qendrën stërvitore dhe djemtë janë gati për sukses”, është shprehur ai.

Walker ka kërkuar edhe ndihmën e tifozëve nga tribunat.

“Siç e dinë të gjithë, tifozët janë shumë të rëndësishëm për ne. Në secilën ndeshje, ata na japin shtytje shtesë dhe na duhen më shumë se kurrë të enjten mbrëma, për të na përkrahur, për të na ndihmuar ta kthejmë rezultatin dhe për ta bërë një tjetër mbrëmje të veçantë në ‘Victoria Stadium’”, theksoi Walker.

Ky stadium në Gjibraltar ka kapacitet prej 5 mijë ulëseve. Ndërkohë, ndeshja mes Lincoln Red Impsit dhe Ballkanit nis në orën 18:00.

Artikuj të ngjashëm