Meriton Korenica, autori i golit të parë të shënuar përballë Lincoln Red Impsit të enjten mbrëma në “Fadil Vokrri” në Prishtinë në fitoren 2:0, i është gëzuar fitores.
Ballkani fitoi ndaj skuadrës nga Gjibraltari në ndeshjen e parë të rrethit të tretë kualifikues të Ligës së Konferencës.
“Së pari shikova lojtarin tonë, por ishte i mbuluar dhe u desh të shënoj. Më kryesore është fitorja. Ka mundur të jetë edhe më bindëse por nuk i shfrytëzuam rastet. Shpresojmë të fitojmë edhe në ndeshjen tjetër dhe të kualifikohemi. Ne e bëjmë lojën tonë gjithmonë. Edhe fusha na ka penguar në shënimin e rasteve që patëm, por merita ka edhe portieri kundërshtar. Në ndeshjen tjetër duhet të mobilizohemi dhe të shfrytëzojmë rastet që i kemi”, tha Korenica fillimisht. Ai tregoi se trajneri Ilir Daja në pushimin mes pjesëve, u ka dhënë motivim të madh dhe i ka qetësuar. “Profesori na qetësoi pas pjesës së parë edhe pas rasteve që nuk i shfrytëzuam. Në pjesën e dytë realizuam golat. Në këto gara çdo rast duhet të shfrytëzohet sepse rastet nuk vijnë lehtë. Kundërshtari luan lojë fizike, do të mobilizohemi, por do të shikojmë për lojën e radhës në kampionat dhe të provojmë të kualifikohemi në plejof”, është shprehur Korenica.