Sport

Lincolni i gatshëm për testin e vështirë në Prishtinë

Të martën dhe të mërkurën skuadra nga Gjibraltari, Lincoln Red Imps, ka stërvitur në Prishtinë për të qenë plotësisht e gatshme për duelin me Ballkanin. Stërvitjet i ka zhvilluar në kampin nacional të Federatës së Futbollit të Kosovës në Hajvali, ndërsa përballjen me Ballkanin e ka vlerësuar si një test të vështirë. Lincoli të enjten mbrëma do ta zhvillojë ndeshjen e parë të raundit të tretë kualifikues të Ligës së Konferencës ndaj Ballkanit.

Ndeshja luhet në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë dhe nis në orën 20:45. Te Lincoli kanë insistuar se janë plotësisht gati për këtë përballje. Kështu ka insistuar mbrojtësi Jack Sergeant, të mërkurën, për faqen zyrtare të klubit. Ai ka thënë se atmosfera brenda ekipit është shumë e mirë dhe të gjithë po ndihen të gatshëm për të dalë në fushë për një rezultat pozitiv.

“Të gjithë me padurim po e presim ndeshjen e parë me Ballkanin, e cila do të jetë e vështirë po shumë e rëndësishme. Kemi stërvitur mirë dhe përgatitjet kanë shkuar sipas planit. Personalisht, mendoj se jemi gati për këtë test dhe synimi ynë është që të marrim një rezultat pozitiv për ndeshjen e kthimit që e luajmë në shtëpi”, ka paralajmëruar Sergeant.

Dueli i kthimit do të luhet javën tjetër në “Victoria Stadium” në Gjibraltar. Sergeant ka pranuar se Ballkani është një kundërshtar shumë i fortë dhe favorit, sigurisht. Mirëpo, ka shtuar se ai dhe bashkëlojtarët e tij do të japin 100 për qind nga vetja për të arritur synimin për të cilin kanë ardhur në Kosovë.

“Ballkani është një ekip shumë i fortë. Ne i kemi shikuar ndeshjet që i ka luajtur dhe i kemi analizuar mirë, që do të thotë se e kemi parasysh se çfarë na pret. Është një skuadër solide me lojtarë të rrezikshëm në fushë. E kemi parasysh se si ekip duhet të japim 100 për qind në fushë për t’u kthyer në shtëpi me një rezultat pozitiv”, ka thënë Sergeant, i cili është në mesin e lojtarëve që më herët kanë luajtur në Prishtinë, qoftë me Lincolnin apo me Përfaqësuesen e Gjibraltarit. “Shumica prej nesh kanë luajtur në këtë stadium me klubin ose ekipin kombëtar, kështu që sigurisht kjo mund të jetë e dobishme për ne. Por ne gjithashtu e dimë se sa intensive dhe e fortë do të jetë ndeshja dhe të gjithë duhet të jemi në formën më të mirë të mundshme”.

Lincolni është kampion i Gjibraltarit dhe ekipi më i suksesshëm i këtij territori me 27 tituj të fituar. Në vitin 2021 u bë ekipi i parë që arriti në fazën e grupeve të garave të UEFA-s, duke u paraqitur në Ligën e Konferencës. Për Lincolin nuk është hera e parë që luan ndaj një ekipi kosovar apo që vjen në Kosovë.

Në edicionin 2018/19 ishte mposhtur nga Drita në finalen e turneut parakualifikues të Ligës së Kampionëve në Gjibraltar. Një vit më vonë pësoi edhe nga Feronikeli, klub që nuk ekziston më, në gjysmëfinale të turneut parakualifikues të mbajtur në Prishtinë.

Në edicionin 2020/21, fitoi me rezultatin zyrtar 3:0 ndaj Prishtinës në raundin parakualifikues të Ligës së Evropës, pasi disa pjesëtarë të delegacionit të ekipit kosovar dolën me koronavirus dhe u karantinuan. Këtë edicion Lincolni e ka nisur rrugëtimin evropian sikurse Ballkani në Champions, por u eliminua në raundin e parë kualifikues nga Qarabagu i Azerbajaxhanit me rezultatin e përgjithshëm 6:1. Pas këtij eliminimi garat i vazhdoi në rundin e dytë kualifikues të Ligës së Konferencës, të cilin e kaloi pa kundërshtar.

Ekipi që avancon përtej këtij raundi do të paraqitet në plejofin e Ligës së Konferencës, ku përballë do ta ketë humbësin e duelit Sheriff Tiraspol dhe BATE Borisov, skuadra këto që përballen në raundin e tretë kualifikues të Ligës së Evropës.