Talenti i boksit profesionist në Zvicër, Faton Vukshinaj, mbrëmë zhvilloi duelin e gjashtë profesionist, duke fituar sërish.
I njohur si “El Vulcano” arriti të triumfonte ndaj Nodar Robakidze, i cili kishte 51 duele si boksier profesionisht. Ai fitoi me pikë në duelin prej tetë raundesh.
Vukshinaj arriti të fitonte secilin raund dhe të tre gjyqtarët i dhanë fitoren prizrenasit.
“El Vulcano” është 26 vjeçar dhe tani është ndër 100 boksierët më të mirë në botë në kategorinë e mesme.
“Fatoni po mëson shumë nga dueli në duel, strategjia e luftës së tij mbrëmë ishte shumë e mençur, për këtë ka merita të mëdha edhe vëllai e trajneri i tij Mërgim Vukshinaj, i cili për çdo kundërshtar e gjen strategjinë e duhur dhe e dirigjon Fatonin në ring për mrekulli. Viti 2018 për Fatonin sapo ka filluar, shpresoj që brenda këtij viti do i arrijmë edhe disa fitore te tjera”, ka deklaruar Luan Dreshaj, menaxher i Vukshinajt.