Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Vritet basketbollisti i ri ukrainas që ëndërronte të luante në NBA

Basketbollisti i ri ukrainas Bohdan Popova, 19 vjeç, u vra gjatë një sulmi ushtarak rus në hidrocentralin e qytetit të Kanivit. Kur filloi pushtimi rus i Ukrainës, si shumë sportistë, edhe Popova vendosi t’i dalë në mbrojtje atdheut të tij.

Ai e zëvendësoi fanellën dhe topin e basketbollit me një uniformë ushtarake dhe pushkë, dhe la pas ëndrran që një ditë të luante në NBA. Popova dha jetën duke luftuar për lirinë e vendit të tij. Mediumet ukrainase të martën kanë konfirmuar vrasjen e tij, por nuk i kanë bërë të ditura detajet e vdekjes.

Popova ishte njëri prej lojtarëve më të talentuar të Ukrainës dhe ka luajtur në ligën e juniorëve, ku kishte një mesatare prej 13 pikëve dhe 19 kërcimeve për ndeshje. Ai jetoi për basketbollin dhe dëshira e tij ishte të studionte për kolegjin amerikan UCLA dhe të luante për ekipin Bruins në NCAA.

Popova bëhet sportisti i katërt që është vrarë gjatë luftimeve në Ukrainë pas futbollistëve Vitali Sapilo e Dmytro Martynenko dhe skitarit Yevhen Malishev.