Sport

Basketbollistët ukrainas në SHBA po e shohin me ankth atdheun

Phoenix, 7 mars (AP) – Qendra e ekipit të Kolegjit Grand Canyon, Dima Zdor, është përpjekur që gjatë javëve të fundit të mbajë një rutinë. Ai është menduar të bëjë një përzierje mes detyrave të shkollës, stërvitjeve dhe ndeshjeve, për shkak se vëmendja e tij në orët e tjera të ditës ishte në anën tjetër të botës.

Njëri prej shumë lojtarëve ukrainas që luajnë basketboll në kolegjet e SHBA-së, Zdor, vetëm mund të shikojë nga televizori trupat ruse që futen në vendlindjen e tij dhe shpreson që familja dhe miqtë e tij të jenë të sigurt.

“Unë shikoj shumë lajme nga shtëpia dhe është thjesht shqetësuese se si fshatrat dhe qytetet e vogla po shkatërrohen dhe po pushtohen vetëm për arsye të politikës”, tha ai. “Është e trishtueshme. Është e frikshme. Është e pakëndshme të hap Twitterin ose të shikoj lajmet çdo ditë dhe të kem frikë nga ajo që po ndodh atje që mund të prekë familjen, miqtë ose ekipin tim në shtëpi”.

Pushtimi i Ukrainës nga ana e Rusisë ka tërhequr vëmendjen botërore. Bombat po godasin qytetet në vendin e Evropës Lindore. Më shumë se një milion njerëz janë larguar nga vendi, ndërsa forcat ruse përparojnë. Miliona të tjerë kanë ngecur në mes të zjarrit, shumica të fshehur në bodrume. Shikimi i kësaj situate nga distanca është torturues dhe i bën të pafuqishëm lojtarët ukrainas derisa ata shikojnë lajmet, po ndjekin mediat sociale dhe përpiqen të komunikojnë me familjen dhe miqtë në shtëpi.

“Është e vështirë mendërisht”, tha Denys Bobchuk, basketbollist në Spring Hill College. “Personalisht ndihem fajtor vetëm sepse njerëzit e mi po kalojnë disa gjëra të vështira tani. Dhe unë jam këtu, jam i sigurt dhe nuk ka shumë gjëra me të cilat mund të ndihmoj”.

Komunikimi i lojtarëve me Ukrainën ka qenë i paqartë ndonjëherë. Orët pa kontakt me familjarët janë të dhimbshme, ndërsa ditët edhe më keq.

Ankthi i pafund vjen edhe me një përpjekje për të kuptuar pse vendi i tyre po pushtohet.

“Nuk është në rregull. Ne jetojmë në këtë kohë ku kemi mjekësi, shkencë, të gjitha këto gjëra dhe ne jemi ende duke pasur luftë”, tha qendra e San Franciscos, Volodymyr Markovetskyy. “Pse po ndodh kjo? Unë nuk e kuptoj, familja ime nuk e kupton, askush nuk e kupton”.

Nëna dhe motra e Markovetskyyt ishin në gjendje të arratiseshin në Lituani, por babai i tij, një oficer policie, duhej të qëndronte në Ukrainë. Prindërit, motra dhe shumë të afërm të Zdorit janë në Ukrainë dhe Krime, e cila u pushtua nga Rusia në vitin 2014.

George Maslennikov, një qendër e Kolegjit Canisius, është nga Odessa dhe kishte disa momente nervoze kur as ai dhe as babai i tij, i cili është në Spanjë, nuk mundën të lidheshin me nënën e tij, Tetyannan, ndërsa qyteti ishte nën rrethim.

“Po përpiqem ta mbaj mendjen pozitive sa më shumë që të mundem, megjithëse është e vështirë edhe pa gjëra të tilla që ndodhin në shtëpi pasi e shoh familjen time vetëm një herë në vit”, tha ai.

Lojtarët ukrainas në SHBA ende përpiqen të bëjnë atë që munden nga larg, duke rritur ndërgjegjësimin në mediat sociale dhe për fondet për ushtrinë. Bobchuk po përpiqet të krijojë një fond për të mbledhur para për ushtarët në Ukrainë dhe ka kontaktuar prodhuesit amerikanë për t'u dërguar jelekë antiplumb miqve ushtarakë në shtëpi. Maslennikov ka dhuruar një aplikacion bankar për të dërguar para për ushtrinë ukrainase, duke inkurajuar të tjerët të bëjnë të njëjtën gjë përmes mediave sociale.

“Thjesht, duhet shumë guxim për të bërë gjëra të tilla dhe për të ndihmuar një vend aq të vogël sa i yni për të luftuar kundër rusëve”, tha ai. “Njerëzit mendonin se do të ishte e lehtë, por nuk është kështu. Po mundohem ta mbështes sa më shumë që të mundem edhe pse jam kaq larg nga shtëpia dhe jam i shqetësuar për ta. Po bëj aq sa mundem”.

Megjithatë kjo është e tëra që basketbollistët ukrainas mund të bëjnë për vendin e tyre nga SHBA-ja. Pjesa më e madhe e kohës së tyre shpenzohet duke parë, duke pritur dhe mbajtur shpresa për të gjithë në shtëpi. Ata insistojnë se aplikimi i një rutine ditore është çelësi për të larguar mendjen nga ajo që po ndodhë në Ukrainë, të paktën për pak kohë.

“Thjesht nuk ndihem mirë, por në fund të ditës mendoj se është e rëndësishme të kuptoj se jam këtu dhe e vetmja gjë që mund të bëj është të bëj punën time, të luaj basketboll”, tha Bobchuk. “Dhe kjo është ajo që unë po përpiqem të bëj tani, thjesht duke u përpjekur të fokusohem në diçka në të cilën jam përfshirë dhe thjesht të kem rutinën time të përditshme dhe ta ndjek atë”.