Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Volejbollistet e humbin edhe ndeshjen e tretë me rezultat maksimal në sete

Volejbollistet e Kosovës e kanë mbyllur edhe ndeshjen e tretë kualifikuese për “EuroVolley 2021”, pa set të fituar.

Pas humbjeve nga Mali i Zi dhe Sllovakia, përfaqësuesja e Kosovës në volejboll të dielën mbrëma u mposht thellë nga Finlanda. Ndeshja u luajt në Podgoricë të Malit të Zi.

Finlandezet fituan me rezultatin 3:0 në sete.

Seti i parë përfundoi 25:15 për Finlandën, ndërsa në të dytën rezistenca e Kosovës ishte fare e zbehtë. Seti i dytë përfundoi 25:10. Ndërkohë edhe në setin e tretë lojtaret e Finlandës ishin bindëse dhe fituan 25:15. Gjithsej ndeshja nuk zgjati as një orë.

Kosova është e fundit në grup dhe në pritje të pikëve të para.

Ndeshjet tjera të Grupit D luhen prej 13 deri më 15 maj në Sllovaki. Gjasat që Kosova të arrijë ndonjë sukses tashmë janë të vogla.