Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Vizioni i ish-lojtarit të NBA-s po e shtyn Sudanin Jugor drejt Olimpiadës

Sudani Jugor ka mbetur në garë për kualifikim në Lojërat Olimpike “Parisi 2024” pas fitores 87:68 ndaj Filipineve në Botërorin e basketbollit. Kjo ndeshje u luajt të enjten dhe ishte e rëndësishme për rangim përfundimtar (17-32), ndërsa Carlik Jones gati regjistroi “triple-doublen” e parë në histori të botërorit.

Ai ndeshjen e mbylli me 17 pikë, 9 kërcime e 14 asistime, ndërsa kjo ishte fitorja e dytë e Sudanit Jugor në katër ndeshje të luajtura në Botëror. Sudani është eliminuar nga faza e grupeve dhe po lufton për kualifikim në Olimpiadën e vitit të ardhshëm. Në grup e ka mposhtur Kinën, ndërsa ka pësuar nga Porto Riko e Serbia. Megjithatë, meritat më të mëdha për këto paraqitje të Sudanit Jugor i ka një ish-basketbollist i NBA-s. Luol Deng po vlerësohet si “zemra dhe shpirti” e këtij ekipi, ndërsa këtë e ka konfirmuar edhe trajneri Royal Ivey. Në fakt, Deng është president i Federatës së Basketbollit të Sudanit Jugor.

“Deng kishte një vizion të madh dhe gjithçka prej atij vizioni është bashkuar në këtë Botëror”, tha Ivey.

Pavarësisht renditjes përfundimtare, arritjet janë të mëdha për Sudanin Jugor, i cili fitoi pavarësinë vetëm në vitin 2011. Anëtarësimi në FIBA pasoi në vitin 2013, me një ndeshje të parë zyrtare ndërkombëtare që e zhvilloi vetëm gjashtë vjet më parë. Deng, 38-vjeç, nuk është vetëm presidenti i Federatës, pasi ai është në ekipin në Manila duke shërbyer edhe si ndihmëstrajner për Kupën e Botës.

“Luol Deng është zemra dhe shpirti i gjithë kësaj arritjeje”, vazhdoi Ivey, i cili është edhe ndihmëstrajner te Houston Rockets.

Deng është një nga emrat më të mëdhenj që ka dalë nga Sudani Jugor, që ka luajtur te Chicago Bulls dhe LA Lakers në një karrierë të shkëlqyer në NBA. Ai përfaqësoi gjithashtu Britaninë e Madhe në Lojërat Olimpike “Londra 2012” dhe dy herë në “Eurobasket”. Seng, i cili u largua nga Sudani i shkatërruar nga lufta në moshën pesëvjeçare, filloi të përfshihej më shumë në basketbollin e vendlindjes pasi doli në pension, duke u zgjedhur përfundimisht unanimisht në rolin e presidentit të federatës në vitin 2019.

“Ne u angazhuam për një vizion ambicioz të ndërtimit të kombit përmes sportit, nga përfaqësimi i Sudanit të Jugut jashtë vendit deri te zhvillimi lokal i sportit në mbarë vendin. Basketbolli na ka ndihmuar shumë në këtë aspekt”, pranoi Deng.

Edhe Sudani i Jugut në histori, fiton ndeshjen e parë të saj në Lojërat Olimpike Paris 2024 Sudani i Jugut në histori, fiton ndeshjen e parë të saj në Lojërat Olimpike

Zëvendëspresidentja e Sudanit të Jugut, Rebecca Nyandeng de Mabior, foli për krenarinë e saj për ekipin e basketbollit dhe gjithashtu shpresat që populli i saj do të njihet për diçka tjetër përveç luftërave civile dhe urisë. Nyandeng rezervoi gjithashtu lëvdata për ndikimin që Deng ka pasur dhe se si ai e ka transformuar ekipin.

“Unë e di që ata e kanë atë potencial, por më parë nuk e kanë pasur mundësinë”, pranoi ajo. “Luol Deng erdhi, pas pensionimit, në vendin e tij. Ai e di potencialin që ata kanë. Ai e dinte se do të na sillte në këtë vend ku jemi tani”.

Nganjëherë i referuar si nëna e kombit, Nyandeng tha se Deng dhe ekipi i basketbollit u ka dhënë një mesazh sudanezëve të jugut, të cilët janë frymëzuar nga paraqitjet e yjeve të ndritshëm në Botëror. Ndeshjen e radhës për rangim final Sudani Jugor e luan të shtunën, ku do të përballet me Angolën.