Ish-kalorësi, AP McCoy, tha në fillim të këtij viti se është i vetmi person që vdes dy herë. E tillë, sipas tij, është dhimbja e largimit nga natyra dehëse dhe gjithëpërfshirëse e sportit profesional. Karrierës së gjatë dhe me shumë dekorata, McCoy i dha fund në vitin 2015 dhe që atëherë i është dashur të mësojë se si të “fillojë përsëri dhe të ketë një jetë tjetër”.
Në 12 muajt e fundit janë disa yje të shquara të sportit të cilët mund të kenë dëgjuar për përvojën e daljes në pension të McCoyt, ose përvojën e kujtdo që ka folur sinqerisht për vështirësinë e përfundimit të një karriere të suksesshme sportive.
Midis tyre është tenisti Roger Federer, i cili i dha fund karrierës së mbushur me trofe në shtator, pas vjetëve duke u përpjekur të rikuperohej nga dy operacione në gju. Në letrën që njoftonte për pensionimin, Federer, ashtu si McCoy, aludoi për emocionet e shtuara të një sportisti profesionist dhe se si ata e kanë kaq të vështirë t’i thotë lamtumirë sportit të tyre.
“Kam qeshur dhe qarë, kam ndier gëzim e dhimbje dhe mbi të gjitha jam ndjerë tepër i gjallë”, shkroi Federer. “Për lojën e tenisit”, nënshkroi ai letrën në fund, “të dua dhe nuk do të lë kurrë”.
Këto fjalë ishin qetësuese për tifozët që e kanë admiruar karrierën e Federerit për kaq shumë vjet, por gjithashtu paraqitën një çështje tjetër: sa e vështirë mund të jetë të largohesh tërësisht nga sporti profesional pas daljes në pension.
Mbetet për t'u parë saktësisht se si Federeri do të mbetet i përfshirë në tenis dhe e njëjta gjë mund të thuhet për Serena Williamsin, e cila njoftoi se do të “evoluonte larg tenisit” përpara garës “US Open” të këtij viti. Por ikona amerikane refuzoi të thoshte se po tërhiqej. Në disa raste gjatë tre muajve të fundit, fituesja e 23 turneve Grand Slam, madje ka ngacmuar fansat për një rikthim të mundshëm në tenis.
Zgjatja e karrierës
Ndërsa Federer dhe Williams janë larguar si dy nga tenistët më të mëdhenj të të gjitha kohëve, yjet e tjera të sportit nuk mund të vendosin se kur, apo si, të largohen. Kampioni i boksit në kategorinë e rëndë, Tyson Fury, ka dalë në pension dhe është kthyer nga pensioni këtë vit, duke thënë në tetor se e ka “me të vërtetë të vështirë ta lërë këtë gjë të shkojë”. Dhe në fillim të këtij viti, ylli Tom Brady njoftoi se do të tërhiqej nga NFL-ja, duke e lënë sportin si një kampion i vërtetë që ka fituar shtatë herë në “Super Bowl” dhe ndoshta si qendërmbrojtësi më i madh i të gjitha kohërave. 45-vjeçari më pas e ndryshoi atë vendim dhe ende po thyen rekorde me ekipin Tampa Bay Buccaneers gjatë sezonit të tij të 23-të në NFL.
“Unë mendoj se ka shumë profesionistë në jetë që kalojnë gjëra me të cilat merren në punë dhe me të cilat merren në shtëpi. Natyrisht, lajmi i mirë është se unë jam i fokusuar në dy gjëra: të kujdesem për familjen time dhe të bëj punën më të mirë që mundem për të fituar ndeshjet e futbollit amerikan. Kjo është ajo që bëjnë profesionistët”, ka thënë Brady.
Brady ka ripërcaktuar atë që shumica besojnë të jetë jetëgjatësia mesatare e një sportisti. Dhe ai nuk është i vetmi person që refuzon t’i thotë lamtumirë karrierës. LeBron James është gati të mbushë 38 vjeç, por ende po vendos rekorde në NBA. Rivali i Federerit, Rafael Nadal, 36-vjeçar, nuk e ka ndërmend të dorëzohet. Për Nadalin e ardhmja në sport varet nga sasia e tendosjes që trupi i tij i dëmtuar nga lëndimet mund të vazhdojë ta përballojë. Në golf, Tiger Woods përballet me pyetje të ngjashme. 15 herë kampioni kompletoi një rikthim mahnitës nga dëmtimet e rënda të këmbës që i pësoi në një aksident automobilistik. Pastaj është sprinterja Shelly-Ann Fraser-Pryce, e cila është 36-vjeçare, por nuk ka treguar shenja të ngadalësimit. Atletja nga Xhamajka prodhoi një sërë paraqitjesh të shpejta këtë vit, duke vrapuar plot shtatë herë nën 10.7 sekonda në 100 metra dhe duke fituar titullin e saj të pestë botëror në korrik.
Fytyra të njohura dhe yje të ardhshme
Shumë nga sportistët që pushtuan ballinat në vitin 2022, e kanë bërë këtë prej vitesh. Askush nuk është i sigurt se ku Cristiano Ronaldo do të luajë futboll në nivel klubi në janar, pasi përfundoi periudhën e dytë në Manchester United në mënyrë të turpshme. 37-vjeçari duket se ende është i vendosur të zgjasë karrierën e tij edhe pas eliminimit të Portugalisë në çerekfinale të Kupës së Botës. Ndërkohë, rivali i tij, Lionel Messi, e mbylli vitin në nivel superior, duke e udhëhequr Argjentinën drejt trofeut të tretë të Kupës së Botës. 35-vjeçari Messi shënoi dy gola në finale kundër Francës dhe më në fund mori në dorë Kupën e Botës në tentimin e tij të pestë, duke shtyrë më tej pretendimin e tij si lojtari më i mirë në histori. Ky nuk ka qenë rasti i vetëm i kohëve të fundit i një superylli që fiton trofe. Në finalet e NBA-së të sezonit të kaluar, Stephen Curry udhëhoqi Golden State Warriorsin drejt titullit të katërt të kampionit në tetë sezone.
Edhe pse fytyrat e njohura kanë vazhduar të shkëlqejnë, viti 2022 ka parë gjithashtu shfaqjen e yjeve të ardhshëm. 19-vjeçari Carlos Alcaraz e mbyll vitin si numri një dhe më i riu në historinë e tenisit që e bën këtë, pas triumfit në US Open. Te tenistet, Iga Swiatek, u ngjit në krye. Këtë vit, 21-vjeçarja Swiatek fitoi titullin e dytë të Grand Slamit “French Open”.
Në Formula 1, Max Verstappen, ka çimentuar pozicionin e tij si ngasësi më i mirë, duke mbrojtur me lehtësi titullin e botës, ndërsa Erling Haaland, i konsideruar si një nga sulmuesit më të mirë në futbollin evropian, po thyen rekordet me fanellën e Manchester Cityt sa i përket shënimit të golave.
Mbrojtja e Ukrainës
Pushtimi rus i Ukrainës ka vënë hije mbi pjesën më të madhe të kalendarit sportiv të këtij viti. Sportistët dhe ekipet nga Rusia e Bjellorusia u larguan nga garat në sporte të ndryshme, duke përfshirë ndeshjet kualifikuese për Kupën e Botës në futboll dhe pjesëmarrjen në Wimbledon në tenis. Vendimi nga Wimbledoni ishte ndoshta qëndrimi më i fortë i marrë nga një organizatë sportive. Në fillim të luftës shumë sportistë ukrainas zgjodhën të pezullonin karrierën sportive dhe të mbështesin përpjekjet ushtarake të vendit.
Boksieri Oleksandr Usyk ka folur me pasion për t'i shërbyer vendit të tij dhe në ring ka vazhduar bilancin pa humbje, duke mposhtur Anthony Joshuan në gusht për të ruajtur titujt e kategorisë së rëndë në versionet WBA (Super), IBF, WBO dhe IBO.
Gjatë gjithë vitit 2022 sporti dhe politika janë ndërthurur ngushtë. Në muajin dhjetor, ylli i WNBA-së, Brittney Griner u kthye në shtëpi në SHBA, pasi ishte ndaluar në Rusi për gati 10 muaj për akuzat rreth kontrabandës së drogës. Pavarësisht dëshmisë se kishte paketuar pa dashje vajin e kanabisit që iu gjet në bagazhin e saj, Griner u dënua me nëntë vjet burg në fillim të gushtit dhe u transferua në një koloni penale në republikën Mordovia në mes të nëntorit, pasi humbi apelin. Arrestimi i basketbollistes 32-vjeçare në Rusi ndezi dramë diplomatike mes SHBA-së dhe Kremlinit rus, e cila u zhvillua së bashku me luftën e Rusisë në Ukrainë. Ajo u lirua në një shkëmbim të burgosurish që përfshinte tregtarin rus të armëve, Viktor Bout. Shkëmbimi megjithatë, nuk përfshinte një tjetër amerikan që Departamenti i Shtetit e ka shpallur të ndaluar gabimisht, Paul Whelanin.
Tragjeditë në stadiume
Tutje në futbollin ndërkombëtar, Anglia fitoi Kampionatin Evropian të futbollisteve për herë të parë, ndërsa Senegali fitoi Kupën e Afrikës (AFCON) në muajin shkurt, gjithashtu për herë të parë. Real Madridi fitoi titullin e 14-të evropian duke mposhtur Liverpoolin në finalen e Ligës së Kampionëve në futboll – një ndeshje që u dëmtua nga çështjet e sigurisë. Ajo finale e zhvilluar në Paris u shty për më shumë se 35 minuta, pasi tifozët e Liverpoolit kishin vështirësi për t’u futur në “Stade de France” dhe gazi lotsjellës u përdor nga policia franceze ndaj turmës së njerëzve që ishin mbledhur në një hapësirë të vogël.
Shefi i policisë së Parisit, Didier Lallement, pranoi në qershor se kaosi ishte “qartësisht një dështim” dhe tha se ai merr “përgjegjësinë e plotë për menaxhimin e policisë” për këtë ngjarje. Tragjikisht, futbolli ka dëshmuar shumë fatkeqësi serioze nëpër stadiume këtë vit. Në tetor, më shumë se 130 njerëz vdiqën në një rrëmujë në qytetin indonezian Malang - një nga fatkeqësitë më vdekjeprurëse të stadiumeve në botë në histori. Presidenti i Indonezisë, Joko Widodo, tha më vonë se shteti do të shkatërrojë dhe rindërtojë stadiumin, duke u zotuar se do ta “transformojë tërësisht” sportin në vendin e çmendur pas futbollit.
Një përplasje në stadium në kryeqytetin e Kamerunit, Yaounde, gjatë Kupës së Afrikës të këtij viti, pa të paktën tetë persona të vdekur dhe 38 të plagosur gjatë ndeshjes mes Kamerunit dhe Komorosit.