Luftarake

Crawfordi tërhiqet nga boksi si legjendë e vërtetë

Terence Crawford

Kampioni i pesë kategorive të ndryshme, Terence Crawford, ka njoftuar se po tërhiqet nga boksi.
Njoftimi erdhi vetëm tre muaj pasi Crawford u bë boksieri i vetëm që i fitoi të gjithë titujt e mëdhenj në tri kategori të ndryshme. Ai këtë e arriti duke e mposhtur Canelo Alvarezin për unifikim të titujve në kategorinë super të mesme, në shtator.

Crawford shkroi se po “largohet si më i madhi dhe pa lënë asgjë tjetër për të dëshmuar”.

“Po largohem nga gara, jo për shkak se nuk mund të boksoj më, por për shkak se kam fituar një betejë ndryshe. Atë që të mundëson të largohesh me kushtet e tua”, ka thënë Crawford në kanalin e tij në “Youtube”.

“Kjo nuk është lamtumirë. Është fundi i një lufte dhe fillimi i një tjetre. I kam dhënë këtij sporti çdo frymë që kisha. Çdo plagë, çdo triumf, çdo grimcë të zemrës. Kam bërë paqe me atë që do të vijë tutje. Dhe tani është koha. Faleminderit!”, ka shtuar amerikani.

38-vjeçari tërhiqet me bilancin 42:0. 31 prej fitoreve i arriti me nokaut. Pos në kategorinë super të mesme, ai ishte kampion i padiskutueshëm edhe në kategorinë uelter. E kishte mposhtur Errol Spence Jr. me nokaut në korrik 2023. Ishte fitues i të gjithë katër brezave të mëdhenj njëkohësisht edhe në kategorinë super të lehtë, kur e mposhti me ndërprerje Julius Indongon në gusht të vitit 2017.

Amerikani Crawford ka mbajtur 18 tituj të botës në pesë kategori të ndryshme peshe. Dhe tani largohet si legjendë e vërtetë e ringut.

“Kam kaluar gjithë jetën duke kërkuar diçka. Jo breza kampioni, jo para, jo kryetituj. Por atë ndjenjë, atë që bota dyshon në ty dhe t’i vazhdon të dëshmohesh dhe t’i bindësh të gjithë se kanë gabuar”, ka thënë Crawford.

Ai nuk ia doli të kualifikohet në Lojërat Olimpike të vitit 2008 dhe nisi karrierën profesionale. Në fillim nuk ishte vlerësuar shumë, por kjo ndryshoi ndërkohë. 

“Ky sport më dha gjithçka. Kam luftuar për familjen time, për qytetin. Kam luftuar për fëmijën që isha. Për fëmijën që nuk kishte asgjë pos një ëndrre dhe një palë dorezave. Dhe i kam shkuar deri në fund”, ka theksuar Crawford.