Sport

Viniciusi dhe Rodrygo kanë mundësinë e parë për ta siguruar lavdinë evropiane

Në një skuadër të Real Madridit, të mbushur me lojtarë me përvojë që kërkojnë titullin e pestë evropian, dy të rinj të talentuar nga Brazili do ta kenë mundësinë e parë për lavdi të Ligës së Kampionëve. Vinicius Junior dhe Rodrygo, një çift sulmuesish 21-vjeçar që mbërritën në Spanjë me një vit diferencë, pasi firmosën si adoleshentë në Brazil, patën edicion shpërthyes dhe do të përjetojnë finalen e tyre të parë të Ligës së Kampionëve, të shtunën (21:00) kundër Liverpoolit në periferi të Parisit.

“Ne imagjinuam se kjo mund të ndodhte një ditë, por nuk e prisnim të ndodhte kaq shpejt”, tha Rodrygo, i cili iu bashkua Realit në vitin 2019 nga klubi brazilian Santos. “Kemi punuar shumë për këtë moment. Ne jemi shumë të kënaqur me atë që kemi përjetuar këtu”.

Vinicius erdhi një vit më parë nga klubi tjetër i Brazilit, Flamengo. Ai nënshkroi gjithashtu si adoleshent dhe priti një periudhë në Brazil përpara se të kalonte në Spanjë pasi mbushi 18 vjet. Ata të dy luajtën në ekipin “B” të Real Madridit përpara se të bënin hapin në skuadrën kryesore.

“Kjo do të jetë ndeshja më e rëndësishme e karrierës sime”, tha Vinicius. “Nuk është e lehtë të arrish kaq i ri në një klub si Real Madridi, por përfiton avantazhin për të pasur një shans për të luajtur në shumë finale të Ligës së Kampionëve. Shpresoj që kjo të jetë e para nga shumë për mua”.

Real Madridi shpreson se kjo do të jetë e vërtetë, pasi iu desh të vinte bast për brazilianët e rinj dhe shpenzoi 45 milionë euro për secilin pa e ditur nëse ata mund t’i përmbushnin pritshmëritë. Një lëvizje e ngjashme për të nënshkruar me një tjetër të ri nga Flamengo, Reinier, nuk funksionoi. Ai ka luajtur i huazuar te Borussia Dortmundi.

Vinicius, dribluesi më i mirë i Realit, tregoi potencialin e tij që në fillim, por luftoi për të zënë vend në ekipin bazë. Ai pati shumë gabime para portës dhe tifozët filluan të mërziten. Por u përmirësua ndjeshëm këtë edicion nën drejtimin e trajnerit Carlo Ancelotti, linja sulmuese e të cilit shkrepi me brazilianin që luante përkrah Karim Benzemas. Vinicius shënoi 21 gola këtë edicion, më shumë se totali në tri edicionet e tij të mëparshme me klubin. Ai ishte golashënuesi i dytë më i mirë në ligën spanjolle me 17 gola, pas Benzemas që pati 27. Braziliani gjithashtu pati disa asistime kyç në ecjen e skuadrës deri në finalen e Ligës së Kampionëve.

Ancelotti tha se ai tashmë e dinte se Vinicius kishte cilësi, por ishte “i befasuar me qëndrueshmërinë” që tregoi këtë edicion. Rodrygo nuk filloi aq shpesh sa Viniciusi, por shpejt u bë lojtari i preferuar i Ancelottit nga stoli. Ai shënoi shtatë gola në dhjetë ndeshjet e tij të fundit në të gjitha garat, duke përfshirë dy kundër Manchester Cityt për të mbajtur gjallë Realin në ndeshjen e dytë të gjysmëfinales në Ligën e Kampionëve. Ai gjithashtu shënoi një gol të rëndësishëm kundër Chelseat në ndeshjen e dytë të çerekfinales. Nuk është ende e qartë nëse Ancelotti do të fillojë me Rodrygon në finalen e së shtunës apo do të vendosë të përdorë mesfushorin Federico Valverde në një sistem loje më mbrojtës.

“Ai mund të fillojë. Sa herë që aktivizohej nga bankina, ai bënte një ndryshim”, tha Ancelotti për Rodrygon. “Nuk jam i shqetësuar, sepse e di se për çfarë është i aftë”.

Rodrygo shpreson të kalojë sa më shumë kohë në fushë për të ndihmuar ekipin.

“Ekipi është pak më agresiv në sulm kur unë luaj”, tha ai. “Mund të shtojë më shumë shpejtësi në krahët dhe në situatat një me një. Të shohim se çfarë vendos trajneri”.

Rodrygo dhe Vinicius, të cilët do të përfitojnë nga vendimi i Kylian Mbappes për të mos u bashkuar me Real Madridin, thanë se kanë përfituar plotësisht nga këshillat e lojtarëve veteranë të ekipit, përfshirë brazilianët Marcelo dhe Casemiro.

“Ata na bëjnë më të qetë”, tha Rodrygo. “Ata i kanë kaluar këto momente shumë herë më parë, ata i kanë fituar këto finale më parë”.

Marcelo dhe Casemiro do të jenë në mesin e nëntë lojtarëve të Real Madridit që kanë shansin për të fituar finalen e pestë të Championsit.

“Unë u them atyre se ka të bëjë me të shijuarit e momentit, duke shijuar lojën”, tha Casemiro. “Ata ishin shumë të rëndësishëm për të na ndihmuar të arrijmë këtu. Ata do të japin gjithçka që kanë dhe do ta shijojnë momentin në këtë finale”.