Georgio Chiellini shpreson se lista e mbushur me lojtarë të rinj te Los Angeles FC mund ta ndihmojë atë të paktën pjesërisht të rizbulojë burimin e rinisë. Në këmbim, mbrojtësi veteran nga Italia është zotuar se do ta ndihmojë klubin të fitojë kampionatin e tij të parë në Major League Soccer të SHBA-së.
“Unë do të thosha që LAFC është skuadra perfekte për mua sepse është plot me lojtarë të rinj. Mendoj se ata mund të më ndihmojnë”, tha 37-vjeçari Chiellini, të enjten, gjatë konferencës së tij në stadiumin “Banc of California”.
“Sigurisht që është e pamundur për mua të kem të njëjtën karakteristikë fizike si 10 vjet më parë, por unë mund t'u ofroj ende diçka atyre dhe ne duhet të krijojmë një përzierje të mirë mes përvojës dhe entuziazmit me lojtarët më të rinj në mënyrë që të bëhemi fitues”.
LAFC hyri në ndeshjen e së enjtes kundër FC Dallasit me bilancin më të mirë të ligës 10-3-3. LAFC e fitoi ndeshjen me rezultatin 3:1 për të paralajmëruar se këtë edicion po e synon titullin.
“Skuadra është fantastike”, tha Chiellini. “Siç e thashë më parë, nuk kam pse të ndryshoj diçka apo të sjell diçka të veçantë. Thjesht jam këtu për të shtuar veten dhe shpresoj të vazhdoj me paraqitje të mira, pasi ekipi është në krye të tabelës. Por është një udhëtim i gjatë”.
Edhe
Chiellini nis aventurën te Los Angeles FC
Chiellini ishte në Juventusi që nga viti 2005, duke fituar nëntë tituj kampioni rresht në Serie A, si dhe pesë trofe të Kupës së Italisë. Ai e fitoi edhe Kampionatin Evropian me Italinë, me të cilën ndeshjen e fundit e luajti më 1 qershor. Chiellini tha se bisedimet për një lëvizje të mundshme filluan vitin e kaluar, por nuk u përshpejtuan deri në muajin mars të këtij viti, pasi Italia dështoi për t’u kualifikuar në Kampionatin Botëror “Katari 2022”.
Për një ligë ku shumica e blerjeve të mëdha janë të drejtuara kah lojtarët e rinj, sidomos sulmuesit, shtimi i Chiellinit te LAFC shkon kundër strategjisë së klubeve amerikane. Mirëpo futbollit të këtij vendi i nevojiten edhe mbrojtësit.
“Kam lexuar në SHBA se fokusi është vetëm te sulmuesit, por duhet pasur parasysh se mbrojtja e fiton ligën. Ky është objektivi im me ekipin e ri”, insistoi Chiellini.
Chiellini do t'i ofrojë ekipit LAFC një prani në qendër të mbrojtjes. Eddie Segura nuk e ka luajtur këtë sezon për shkak të një dëmtimi në gju dhe pozicioni është ndarë mes lojtarëve Jesus Murillo dhe Mamadou Fall. Chiellini do të ketë të drejtë të bëjë debutimin e tij te skuadra e re pasi të hapet dritarja e dytë e transferimeve në SHBA, më 7 korrik. Ndeshja e parë e tij do të jetë kundër rivalit të qytetit Los Angeles Galaxy, që luhet më 8 korrik.
Gareth Bale gjithashtu mund të bëjë debutimin e tij te LAFC në këtë ndeshje, që për shkak të rivalitetit të madh njihet ndryshe si “El Trafico”. Por dokumentet e sulmuesit uellsian janë ende duke u përpunuar. Shtesa e Chiellinit dhe Balet duhet ta mbajnë Los Angeles FC midis klubeve më të mira të ligës gjatë pjesës tjetër të sezonit. Por, njëri prej lojtarëve kryesorë të këtij ekipi, Carlos Vela, tha se ka shumë punë për t'u bërë deri në fund të edicionit.
Edhe
Ekipi amerikan forcohet me Chiellinin
“Nuk ka rëndësi sa vite kanë luajtur në një vend”, tha Vela. “Duhet të bëjmë përpjekje dhe duhet të japin më të mirën për ekipin. Tani ne kemi shumë talente dhe ardhja e Chiellinit dhe Balet me përvojë do të na ndihmojnë shumë. Shpresoj që me ta edhe do ta fitojmë një trofe këtë vit”, ka pranuar Vela.
Përderisa Chiellini ka firmosur kontratë 18-muajshe me ekipin amerikan, Bale e ka kontratën vetëm për një vit. Si Chiellini, ashtu edhe Bale iu bashkuan ekipit amerikan si lojtarë të lirë. Chiellinit i skadoi kontrata me Juventusin, ku ishte kapiten, ndërsa Balet me Real Madridin.