Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Largimi nga futbolli i luftëtarit të Juventusit e Italisë

Ish-mbrojtësi i Italisë dhe Juventusit, Giorgio Chiellini, njoftoi tërheqjen nga futbolli aktiv në moshën 39-vjeçare. Njoftimin e bëri përmes një postimi të shkurtër në rrjetet sociale, shoqëruar me një video që tregon momentet kryesore të 23 vjetëve të tij si futbollist profesionist.

“Ti ke qenë udhëtimi më i bukur dhe më intensiv i jetës sime. Ti ke qenë gjithçka për mua”, ka shkruar Chiellini. “Me futbollin kam udhëtuar në një rrugë unike dhe të paharrueshme. Por tani është koha për të filluar kapituj të rinj, për të përballuar sfida të reja dhe për të shkruar faqe të tjera të rëndësishme dhe emocionuese të jetës”.

Chiellini e përfundoi karrierën si profesionist me fanellën e Los Angeles FC, ekip që bën gara në Major Soccer League (MLS) të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ndeshjen e fundit, Chiellini e luajti të dielën, kur ekipi i tij pësoi në finalen e kupës MLS nga Columbus Crew me shifrat 2:1.

Chiellini është më shumë i njohur për sukseset që ka pasur me fanellën e Juventusit dhe përfaqësueses së Italisë. Pasi iu bashkua Juventusit në vitin 2005, Chiellini përfundimisht u bë ikonë e mbrojtjes së ekipit nga Torino dhe Italisë. Te Juventusi ai ishte njëri prej tre liderëve të mbrojtjes që njihej me nofkën “BBC”, së bashku me Andrea Barzaglin dhe Leonardo Bonuccin. Kjo treshe mbrojtëse ishte çelësi për ta kthyer Juventusin përsëri në majën e futbollit italian pas skandalit të trukimeve të ndeshjeve “Calciopoli”, që shpërtheu në prag të Kupës së Botës 2006.

Chiellini fitoi nëntë tituj radhazi të Serie A midis viteve 2012 dhe 2020 dhe arriti në dy finale të Ligës së Kampionëve me Juventusin, i cili e nderoi në rrjetet sociale me mesazhin: “Luftëtar, kapiten, kampion. Faleminderit për gjithçka të madhe Giorgio!”.

Edhe Chiellini tërhiqet nga futbolli aktiv Sport Chiellini tërhiqet nga futbolli aktiv

Ekipi nga Torino postoi gjithashtu një video në rrjetet sociale ku shiheshin dronët duke ngritur një fanellë gjigante të Juventusit - me mbiemrin “Chiellini” dhe numrin tre që e ka mbajtur - nga fusha në “Allianz Stadium”.

Me fanellën e Juventusit, Chiellini fitoi edhe pesë Kupa e po aq Superkupa të Italisë. Chiellini u bë hero kombëtar pasi ishte kapiten i Italisë në triumfin në “Euro 2020”.

Një seri paraqitjesh të guximshme mbrojtëse në fazat e fundit të turneut evropian, kulmoi me një fitore të Italisë me penallti ndaj Anglisë në finalen e zhvilluar në stadiumin “Wembley” të Londrës. Fotoja e mbrojtësit duke tërhequr zvarrë anglezin Bukayo Saka u bë një nga imazhet ikonike të Evropianit për italianët, të cilët panë te Chiellini vazhdimin e një tradite të gjatë të mbrojtësve të ashpër që bëjnë gjithçka që duhet për të fituar. Chiellini u largua nga futbolli ndërkombëtar vitin e kaluar pas 117 paraqitjeve, ndërsa Italia nuk arriti të kualifikohej në Botëror për herën e dytë rresht.

Në të vërtetë Chiellini kishte një karrierë të përzier me Italinë, duke arritur në finalen e “Euro 2012”- ku Italia u mposht nga Spanja 4:0 - por duke pasur një kohë të vështirë në Botëror. Italia u eliminua në fazën e grupeve në vitin 2010 dhe 2014, përpara se të pësonte në ndeshjen e plejofit nga Suedia, e cila i kushtoi me mospjesëmarrje në Botërorin e vitit 2018. Chiellini gjithashtu pësoi poshtërimin e kafshimit nga Luis Suarezi.

Edhe Chiellini analizon golin e Watkinsit, tregon gabimet e holandezëve Euro 2024 Chiellini analizon golin e Watkinsit, tregon gabimet e holandezëve

Paraqitja e tij e fundit me Italinë erdhi në ndeshjen “Finalissima” të vitit 2022 me kampionen e Amerikës, Argjentinën, disa javë pasi u largua nga Juventusi pas 17 vjetësh. Ai luajti dy edicionet e fundit të karrierës në SHBA me LAFC, ku fitoi Kupën MLS 2022.

Chiellini karrierën e nisi në vitin 2000 te Livorno, ndërsa një periudhë e kaloi edhe te Roma, përpara se të transferohet te Juventusi. Për një vit, Chiellini ishte i huazuar edhe te skuadra e Fiorentinës.