Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Chiellini tërhiqet nga futbolli aktiv

Mbrojtësi Giorgio Chiellini i ka dhënë fund karrierës si futbollist aktiv në moshën 39-vjeçare. Italiani nëpërmjet rrjeteve sociale, të martën ka njoftuar për pensionimin nga futbolli, duke e përshkruar karrierën e tij si “rrugëtimin më të mirë në jetë”.

39-vjeçari ka qenë futbollist profesionist për 23 vjet, ndërsa ishte kapiten i Italisë në triumfin në “Euro 2020”. Po ashtu, Chiellini për shumë vjet ka qenë edhe pjesë e Juventusit, ekip tek i cili bëri emër.

Ai në qershor të vitit të shkuar u largua nga Juventusi për t’u transferuar te Los Angeles FC në MLS. Ndeshjen e fundit në karrierën e tij, Chiellini e luajti të dielën kur Los Angelesi u mposht 2:1 nga Columbus Crew në finalen e kupës të MLS-së.

Chiellini karrierën e nisi në vitin 2000 te Livorno, përpara se të bëhet ikonë e Juventusit dhe futbollit italian. Ai me fanellën e Juventusit ka fituar nëntë tituj kampioni të Italisë, pesë kupa dhe po aq Superkupa. Me Përfaqësuesen e Italisë, Chiellini ka regjistruar 117 paraqitje dhe ka shënuar tetë gola.